Tifozi i Napolit plagoset me thikë nga gruaja pas ndeshjes Atalanta-Napoli
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Capodimonte, siç raportojnë mediat italiane, mes tyre edhe La Gazzetta dello Sport.
Një tifoz i Napoli, rreth 40 vjeç, është plagosur me thikë nga bashkëshortja e tij pas një debati të ashpër në shtëpi, që nisi pas ndeshjes Atalanta-Napoli.
Sipas raportimeve, tensioni shpërtheu kur VAR i anuloi një penallti Napolit, duke bërë që burri të reagojë me nervozizëm para televizorit. Gruaja, 35 vjeçe, dyshohet se mendoi se fyerjet ishin të drejtuara ndaj saj dhe debati verbal degjeneroi shpejt në dhunë.
Fillimisht ajo hodhi sende në drejtim të tij, më pas mori një thikë në kuzhinë dhe e goditi në anë. Burri, i plagosur, tentoi të kërkonte ndihmë ndërsa gruaja vazhdoi sulmin duke hedhur edhe mjete të tjera prerëse.
Ndërhyrja e Arma dei Carabinieri shmangu pasojat më të rënda. Në çantën e gruas u gjetën edhe disa thika të tjera. I plagosuri u dërgua me urgjencë në Ospedale del Mare, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por me disa plagë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes./Periskopi/



