Trafiku Urban tregon cilat kategori lirohen nga pagesa nëse regjistrohen në Kuletën Digjitale
Trafiku Urban ka njoftuar se nga 1 marsi 2026, kategoritë e liruara nga pagesa në autobusët e NPK “Trafiku Urban” do të lejohen të udhëtojnë falas vetëm përmes Kuletës Digjitale.
Kategoritë që përfitojnë nga lirimi përfshijnë fëmijët deri në 7 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, rastet sociale, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, pensionistët e Komunës së Prishtinës, pjesëtarët e FSK-së, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, stafin shëndetësor dhe arsimor të komunës, punonjësit e administratës komunale dhe studentët e Kryeqytetit.
Trafiku Urban sqaron mënyrën e përfitimit të lirimit:
Kuleta Digjitale: Të gjithë përfituesit duhet të krijojnë një llogari dhe të ngarkojnë dokumentet përkatëse (letërnjoftim, fotografi dhe dëshmi nga institucioni relevant).
Kartela fizike: Për personat që nuk posedojnë telefon ose pajisje të tjera, mund të aplikojnë për kartelë fizike përmes linkut https://kd.pbc.group/ticket brenda 7 ditëve.
Sipas njoftimit, disa kategori mund të përdorin edhe kartela fizike, përfshirë nxënësit, rastet sociale dhe personat me aftësi të kufizuara, duke siguruar dokumentacionin e nevojshëm. Pensionistët mbi 65 vjeç lirohen thjesht me letërnjoftim.
Njoftimi i plotë:
Nga data 1 mars 2026, kategoritë e liruara nga pagesa në autobusët e NPK “Trafiku Urban” do të lejohen të udhëtojnë falas vetëm përmes Kuletës Digjitale.
Kategoritë e liruara janë:
• Fëmijët deri në moshën 7 vjeç;
• Personat me aftësi të kufizuara;
• Rastet Sociale;
• Veteranët me status “Veteran i Luftës së UÇK-së”;
• Invalidët e luftës së UÇK-së;
• Familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve të luftës së UÇK-së;
• Pensionistët e Komunës së Prishtinës;
• Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK);
• Policia e Kosovës;
• Zjarrfikësit;
• Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës;
• Stafi shëndetësor, administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve komunale shëndetësore të Kryeqytetit (niveli lokal);
• Stafi mësimor, administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve komunale arsimore të Kryeqytetit, përfshirë institucionet parashkollore (niveli lokal);
• Të gjithë punonjësit e administratës komunale të Kryeqytetit;
• Të gjithë studentët e Kryeqytetit.
Sqarime:
1. Për të përfituar nga kategoria e liruar, duhet të krijoni llogari në Kuletën Digjitale dhe të ngarkoni dëshmitë e nevojshme (letërnjoftimin, një fotografi dhe vërtetimin/dëshminë nga institucioni relevant).
2. Personat mbi moshën 65 vjeç (pensionistët) lirohen me kartë identiteti (letërnjoftim).
3. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës lirohen përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike – siç sqarohet në pikën 6.
4. Rastet sociale lirohen me vërtetim zyrtar nga Qendra për Punë Sociale, i cili konfirmon statusin si përfitues i asistencës sociale. Kjo kategori lirohet përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike – siç sqarohet në pikën 6.
5. Personat me aftësi të kufizuara lirohen me dëshmi zyrtare përkatëse (certifikatë ose vendim nga komisioni kompetent mjekësor apo organi përkatës), që vërteton statusin e personit me aftësi të kufizuara. Kjo kategori lirohet përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike – siç sqarohet në pikën 6.
6. Personat që nuk posedojnë telefon apo pajisje të tjera dhe kanë nevojë për kartelë fizike mund të aplikojnë në linkun: https://kd.pbc.group/ticket dhe brenda afatit prej 7 ditësh do të pajisen me kartelë fizike.
7. Kuleta Digjitale dhe kartelat fizike mund të mbushen përmes kartelës bankare direkt në aplikacion ose në pikat e shitjes së biletave të Trafikut Urban, të cilat mund t’i gjeni:
• Kioska me logo “Trafiku Urban”, pas Objektit të Komunës (tek “Plepat”):
E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00
E diel: 08:00 – 16:00
• Kioska me logo “Trafiku Urban”, në lagjen “Kodra e Diellit”, tek “Banesat e Bardha”:
E hënë – E premte: 07:00 – 21:00
E shtunë: 07:00 – 14:00
• Kioska me logo “Trafiku Urban”, në Bulevardin “Bill Kllinton” (afër nënkalimit):
E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00
E diel: 08:00 – 16:00. /Periskopi/



