Tre banesa në rrezik nga çarja e tokës në Peqin, rruga e pakalueshme për automjetet

Tre banesa në rrezik nga çarja e tokës në Peqin, rruga e pakalueshme për automjetet

Pas dëmtimeve të shumta në aksin Librazhd-Prrenjas dhe izolimit të juglindjes së vendit, një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në fshatin Algjinaj, në Njësinë Administrative Shezë, bashkia Peqin.

Lëvizja e tokës dhe fundosja e dheut kanë krijuar çarje të thella në një segment me gjatësi të konsiderueshme, duke deformuar sipërfaqen dhe duke rrezikuar aktualisht shembjen e tre banesave, si edhe dëmtimin e infrastrukturës përreth.

Sipas banorëve, situata është përkeqësuar pasditen e së dielës, kur një pjesë e rrugës rurale është bërë e pakalueshme për automjetet. Ky aks përdoret çdo ditë për lidhjen e fshatit me zonat përreth, ndërsa bllokimi i tij ka sjellë vështirësi të menjëhershme në qarkullim dhe në aksesin drejt shërbimeve bazë, raporton euronews.al, transmeton Periskopi.

Çarje dhe zhvendosje të tokës janë konstatuar edhe pranë tre banesave, duke rritur shqetësimin për sigurinë e familjeve. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për vlerësimin e rrezikut dhe marrjen e masave stabilizuese, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës./Periskopi/

Shpërndaje në: