Trump e përfshin ndaljen e “konfliktit” Kosovë-Serbi në listën e të arriturave si president

Trump e përfshin ndaljen e “konfliktit” Kosovë-Serbi në listën e të arriturave si president

Në njëvjetorin e inaugurimit si President i ShBA’së, Shtëpia e Bardhë ka bërë një përmbledhje të të arriturave të Donald Trump.

Aty listohen “365 fitore”, teksa tek e 147’ta përmendet Kosova, shkruan Reporteri.net.

“Ndërmjetësoi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në njoftimin e publikuar në webfaqen e Shtëpisë së Bardhë.

Këto “fitore”, Trump i prezantoi edhe në konferencën që mbajti me gazetarë.

Edhe aty përsëriti se e meriton Nobelin për Paqe, me arsyetimin se ka ndalur “tetë luftëra”.

Konfiktin e mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, Trump kishte thënë se e kishte ndalur me paralajmërimin ndaj dy vendeve që nëse shkonin drejt asaj rruge, nuk do të mund të bënin tregti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit nga vizita në ShBA, Presidentja Vjosa Osmani kishte deklaruar se në fund të muajit maj të vitit 2025 ka marrë informacione të reja lidhur me planet e Serbisë për përshkallëzim.

“Me konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë kam pas takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si president. Menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, kishte deklaruar Osmani./Periskopi/

Shpërndaje në: