Trump, insiston për marrjen e Groenlandës: Do ndërtojmë një “kupolë të artë”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos se SHBA mban barrën kryesore financiare të NATO-s dhe për këtë arsye po kërkon kontroll të plotë mbi Groenlandën, përfshirë titullin dhe pronësinë e saj.
Ai theksoi se SHBA nuk mund ta mbrojë Groenlandën “me qira”, duke argumentuar se territori ka rëndësi kyçe strategjike në rast të një konflikti global.
Trump njoftoi gjithashtu plane për ndërtimin e një sistemi të avancuar mbrojtës në Groenlandë, sistem ky që siç tha ai do t’i shërbejë edhe mbrojtjes së Kanadasë.
“Ne japim kaq shumë për NATO, dhe marrim kaq pak. Vetëm paguajmë për NATO. Paguam 100% për NATO, sepse nuk paguanin faturat e tyre. Ne tani kërkojmë Groenalndën me titullin dhe pronësinë, sepse nuk e mbrojmë dot me qira. Nëse një luftë ndodh, pjesa më e madhe e raketave do të fluturojnë në atë pjesë. Do ndërtojmë një kupolë të artë në Groenlandë, që të mbrojmë dhe Kanadanë”, tha Trump.
Më tej, shefi i shtëpisë së Bardhë u shpreh se nuk preferon të përdorte forcën për marrjen e Groenlandës.
“Nuk kam nevojë të përdor forcë, nuk dua të përdor forcë”, tha Trump./Periskopi/



