Trump: Marrëveshja e paqes synon rindërtimin e Gazës

Trump: Marrëveshja e paqes synon rindërtimin e Gazës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson që një marrëveshje paqeje e nënshkruar në samit global në Egjipt do të çojë në “rindërtimin e Gazës”.

Presidenti refuzoi të thoshte se kjo do të çonte në krijimin e një shteti palestinez, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në bordin e Air Force One, shkruan Sky News.

Duke u kthyer nga Sharm el-Sheikh, Egjipt, ku liderët botërorë u mblodhën ditën e djeshme për të shënuar një marrëveshje, ai tha se u ishte përgjigjur “lutjeve të miliona njerëzve”.

I pyetur nëse marrëveshja, armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit dhe kthimi i të gjithë pengjeve izraelite të gjalla mund të çojnë në një shtet palestinez, Trump u shpreh se: “Po flasim për rindërtimin e Gazës. Nuk po flas për një shtet të vetëm, për një shtet të dyfishtë apo për dy shtete. Po flasim për rindërtimin e Gazës”, u shpreh Trump.

“Shumë njerëz e pëlqejnë zgjidhjen me një shtet. Disa njerëz e pëlqejnë zgjidhjen me dy shtete. Do ta shohim. Nuk kam komentuar për këtë”, shtoi ai.

Propozimi afatgjatë prej 20 pikash i Trump përfshin një “bord paqeje” për të mbikëqyrur krijimin e një autoriteti kalimtar për territorin, të kryesuar nga presidenti i SHBA-së./Periskopi/

Shpërndaje në: