Tubimi për aktorin dhe politikanin indian kthehet në tragjedi, 39 të vdekur

Tubimi për aktorin dhe politikanin indian kthehet në tragjedi, 39 të vdekur

Një tragjedi goditi një tubim elektoral për një aktor indian të njohur, i kthyer në politikan, të shtunën, kur të paktën 39 persona humbën jetën dhe mbi 90 u plagosën në një shtypje turme, raporton CNN.

Dhjetëra mijëra njerëz ishin mbledhur në një ngjarje publike në shtetin jugor të Tamil Nadu, ku Vijay, një yll i kinemasë vendase i njohur vetëm me emrin e tij të parë, po mbante fjalim.

Pamjet nga mediat lokale tregonin një turmë të mbledhur rreth një kamioni elektoral, me Vijay që iu drejtohej njerëzve nga çatia e mjetit.

Ai shihej duke hedhur shishe uji te mbështetësit që po fikeshin, përpara se të kërkonte ndihmën e policisë pasi situata u bë e rrezikshme.

Të paktën 17 gra, 13 burra, katër djem dhe pesë vajza vdiqën dhe 93 u plagosën në ngjarjen e organizuar nga partia Tamilaga Vettri Kazhagam e Vijay-t në distriktin Karur, konfirmoi të dielën sekretari i Shëndetësisë i Tamil Nadu, Senthil Kumar.

“Zemra ime është e thyer; jam në dhimbje dhe pikëllim të padurueshëm e të pashpjegueshëm”, shkroi Vijay në X.

“Shpreh ngushëllimet dhe simpati të thella për familjet e vëllezërve dhe motrave të mi të dashur që humbën jetën në Karur. Lutem për shërimin e shpejtë të atyre që janë duke u trajtuar në spital”.

Ylli premtoi kompensim prej 2 milionë rupish (22,500 dollarë) për familjen e çdo viktime dhe 200,000 rupish (2,200 dollarë) për të plagosurit – duke dyfishuar shumën e ofruar nga qeveria.

“Në historinë e shtetit tonë, kurrë nuk ka ndodhur që një numër kaq i madh njerëzish të humbasin jetën në një program të organizuar nga një parti politike”, tha MK Stalin, kryeministri i shtetit.

Ai shtoi se ka urdhëruar një hetim, i udhëhequr nga një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, për incidentin – ku morën pjesë rreth 25,000 deri 30,000 persona./Periskopi/

Shpërndaje në: