U abuzua me vite nga e dashura: Më godiste me gotë, çekiç, adapter llaptopi

U abuzua me vite nga e dashura: Më godiste me gotë, çekiç, adapter llaptopi

Partnerja e të abuzuarit me emrin Aleks është gruaja e parë e burgosur për sjellje abuzuese në Mbretërinë e Bashkuar. Tash, ai po provon të luftojë stigmën nga abuzimi mashkullor në shtëpi, përkthen Periskopi

Pjesa pa bold është rrëfimi i Aleks Skill [Alex Skeel], 22 vjeçar

Kurrë s’do ta harrojë momenti që e dashura ime, Xhordana, më përvëloi me ujë të nxehtë. Më kishte shtyer në kënd të dhomës në shtëpinë ku jetonim bashkë në Bedfordshajr [Bedfordshire], duke e mbajtur një ibrik të vluar. Ishim së bashku për tri vjet, dhe ajo që kishte nisur me çikërrima – me atë që më thoshte të mos e vishja ngjyrën e hirtë apo se nuk i pëlqente qysh i mbaja flokët – kishte kaluar në një abuzim fizik për nëntë muaj. Isha shumë i frikësuar prej saj.

Ende mund ta shoh ujin derisa binte në lëkurën time. Gjithçka u duk të ndodhte me ngadalësi [slow motion]. Më pas, lëkura m’u prit. Dhimbja ishte si asnjë tjetër që kisha provuar më parë. E luta të më linte të shkoja në një banjë të mbushur me ujë të ftohtë – ishte gjëja e vetme që më ra ndërmend për të ndaluar dhimbjen. Ajo më lejoi, dhe lehtësimi ishte i menjëhershëm. S’mund ta merrni me mend se si ndihesh kur e fut trupin në ujë akull të ftohtë pas një gjëje të tillë. Është gjëja më e mirë në botë. Më pas, ajo më tha të dilja prej banjës – ose do të më përvëlonte sërish.

Nëse nisja të rënkoja, duke thënë se më dhimbte, ajo do të thoshte, “Atëherë, futu prapë në banjë.” Më vonë, do ta bënte po atë gjë dhe do të më nxirrte jashtë. Ishte e gjitha një lojë për të. Ajo donte kontroll në të gjitha aspektet e jetës sime. Mbaj mend derisa po qëndroja në banjë pa asnjë teshë veshur. Më dukej si të isha në furrë, duke gatuar. Lëkura po më zhvoshkej. Ishte absolutisht e tmerrshme.

Statistikat e fundit për Angli dhe Uells tregojnë se, për një vit, dy milionë të rinj nga mosha 16 deri në moshën 59 kishin përjetuar abuzim në shtëpi – prej tyre, një e treta kishin qenë burra.

Po ashtu vlerësohet që një nga pesë tinejxherët është abuzuar fizikisht nga i dashuri apo e dashura. Dhe iu bën vaki djemve shumë më shumë se sa mendojnë njerëzit. Policia në Angli dhe Uells ka regjistruar gati 150 mijë incidente të dhunës në familje kanë ndodhur më 2017 ndaj burrave – dyfishi i numrit të raportuar në vitin 2012, përcjell Periskopi nga BBC.

Xhordanë Uorth [Jordan Worth] dhe unë ishim 16 vjeçarë kur u takuam në kolegj më 2012. Ajo ishte shumë e mirë në shkollë dhe zuri vend në Universitetin e Hertforshajrit [Hertfordshire] për të studiuar artet e bukura. Donte të bëhej mësuese. Në muajt e parë, gjithçka ishte më së miri. Kalonim kohë të mirë bashkë dhe bënim gjëra normale; këqyrnim filma apo dilnim në shëtitje. Ishte diçka e re për mua t’iu thoja shokëve se e kisha një të dashur. Ata thonin, “Oh, çka ke bërë për vikend?” dhe iu thoja se kisha qenë me të.

Por, disa muaj më vonë, një numër gjërash të çuditshme ndodhën. Në atë vakt, më dukej se ishin sjellje të atyre që vuajnë për vëmendje. Mami dhe babi im kishin paguar që ne të shkonim në Londër për të parë “The Lion King” dhe, prej kurrgjëje, Xhordana u zhduk. Të gjithë po e kërkonim për pak kohë, dhe më pas, shumë më vonë, e gjetëm në zonën e pritjes, duke u shkrirë së qeshuri. Ishte shumë e habitshme. Mendoj se kjo ishte mënyra e saj për të më vënë në panik dhe në merak për të.

Por jo shumë kohë më vonë, Xhordana më kishte izoluar krejtësisht nga shokët dhe familja – më ndalonte që t’i shihja dhe madje edhe më hyri në Facebook – një taktikë klasike e dhunës në shtëpi. Nuk e kisha askënd që t’i tregoja.

Ajo nisi të ma mohonte edhe bukën, gjë e cila bëri që unë të humbja peshë. Do të provoja që ta sfidoja sjelljen e saj, por më pas ajo do ta kthente gjithë problemin kah unë duke më bërë mua problemin. E dija se nuk ishte faji im, por ajo vazhdonte të më bindte për të kundërtën. Ti mbet duke menduar, “Çka po bëj gabim?” Më vonë, i bën gjërat ndryshe dhe ajo nis të të bërtas pse po i bën gjërat ndryshe. Kur po më thoshte, “Nuk më pëlqen ngjyra e hirtë,” apo “Nuk më pëlqejnë këto këpucë,” mendoja me vete, “Okej, s’do t’i mbathi më,” sepse doja t’i lija përshtypje. Por, në realitet, ajo po më formësonte mua në atë që donte të isha. Kjo ta ulë përtokë vetëbesimin. E lufton një betejë që kurrë s’e fiton. Është tepër irrituese.

I bëmë dy fëmijë së bashku dhe vazhdoja me shpresë se diçka do të ndryshonte. Fëmijët ishin foshnje, por, natyrisht, edhe ata duhet ta kenë parë se çka po ndodhte, dhe, edhe nëse nuk i lëndonte ata direkt, frika ime ishte se nëse unë largohesha, ajo do të m’i keqtrajtonte fëmijët. Kështu që qëndrova.

Natyrisht, kaluam edhe kohë të mirë së bashku me Xhordanën – momente kur ndihesha i lumtur, kur qeshnim bashkë dhe bënim hajgare me njëri tjetrin. Nuk ishte makth gjithë kohës. Dhe me të vërtetë doja të provoja e ta bëja të funksiononte lidhjen me të. E doja, tekefundit.

U deshën 18 muaj abuzim mendor që kjo të kthehej edhe në abuzim fizik. Nisi kur ajo filloi të flinte me një gojë ujë pranë vetes. Më akuzonte se po bëja gjëra me vajza tjera, se po flisja apo po shkëmbeja mesazhe, gjë që ishte krejt e pavërtetë. Më pas do të priste derisa të më zinte gjumi dhe do të ma shtypte në krye me gojë. Do të thoshte, “Çka leshin po mendon?”

Pas një farë kohe, erdhi deri në pikën sa nuk ndjeja dhimbje. Isha mësuar me të, sa as nuk e ndjeja më. Kështu që ajo kaloi në një nivel tjetër, dhe do të gjente arsye më të këqija për të më lënduar. Pas gotës, kaloi në çekiç.

Një herë, më goditi me adapterin e llaptopit. /Periskopi

Shpërndaje në: