U dënua me 1 vit e 6 muaj burg, Egzon Azemi i lidh gjyqtarët me Serbinë

U dënua me 1 vit e 6 muaj burg, Egzon Azemi i lidh gjyqtarët me Serbinë

Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi dhe zëdhënësi i Lëvizjes VV-së, Arlind Manxhuka u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

Deputeti Egzon Azemi ka dal me reagim duke thënë se u dënuan asnjë provë.

“Ata që lirojnë terroristët serb që gjuajn bomba duan të na denojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali. Arlind Manxhuka dhe unë sot u dënuam nga 1 vit e 6 muaj burg, pa asnjë provë nga sistemi i vjetruar i drejtësisë që liron terroristët serb. Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuan me nga 6 muaj burgim. Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë. Pra në total 4 vite burg për ata reagojnë kur lirohen kriminelët serb që gjujan bomba e vrasin policë. Qantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë krimenlë serb e neve na denojnë veç pse reagojmë”, ka shkruar ai.

Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u shpallën fajtorë për veprën penale “kanosje”, dhe u dënuan secili veç e veç me nga gjashtë muaj burgim.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues në përbërje: Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Në shpallje ishte i pranishëm Edi Zenelaj, si dhe mbrojtëset: avokatja Teutë Xhema, për Egzon Azemin, dhe avokatja Valentina Shabani, për Arlind Manxhukën.

Ndërkaq, munguan të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”.  Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

“I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

 

Shpërndaje në: