U injorua ne Kosovë, Zvicra e shpallë në mesin e katër burrave më me ndikim
Për këtë projekt, ai kishte ardhur nga Zvicra, që t’ia prezantonte projektin Ministrisë së Arsimit, këta të fundit nuk kanë gjetur kohë që ta pranojnë në takim. Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar se si është dashur të kërkojë ndihmën e Ambasadës së Zvicrës për një takim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por, edhe pas takimit, ata nuk kanë shprehë interesim për këtë projekt. Dhe, pikërisht për këtë projekt, Bujar Nrecaj është nominuar në vitin 2016 për çmimin prestigjioz “Aga Khan Award 2016”.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju patët ethet më të mëdha përgjatë karrierës suaj përgjatë këtij viti, duke pas parasysh se si arkitekt u nominuat për çmimin prestigjioz “Aga Khan Award 2016”, për projektin tuaj “Bunateka”, që e keni realizuar në Kosovë, si e përjetuar këtë eksperiencë?
Bujar Nrecaj: Të bëhesh pjesë e listës së ngushte për çmimin AKAA, pran arkitektëve Zaha Hadid, Jean Nouvel, BIG Architects etj, është nder i ve çantë. Ashtu edhe pjesëmarrja në aktivitetet e çmimit ishte një experiencë shumë e mirë dhe vërtetoj, se edhe prej një shteti shumë të vogël si Kosova, me projektin më të vogël të nominuar është e mundur të renditemi pranë ligës së parë, duhet vetem besim dhe punë. Falënderoj sinqerisht Bekim Ramkun, për nominimin dhe për përkrahjen që më ka bërë përgjatë gjithë procesit të ciklit te çmimit.
KultPlus: Projekti “Bunateka”, u realizua në Kosovë, dhe përpos nominimit tuaj, në këtë garë prestigjioze ju e dërguat edhe Kosovën, cili emocion ishte më i madh, që përmendej emri i juaj, apo që vendi i juaj arriti të futej në këtë garë, pikërisht prej juve?
Bujar Nrecaj: Të them të drejtën më së shumti jam gëzuar për “Bunateka” që arriti të renditet pranë të gjitha atyre projekteve, edhe pse kam pasë ndjenja të veçanta edhe për arritjen time si arkitekt, por edhe të përfaqësimit të Kosovës në këtë garë prestigjioze, pra emocion i trefishtë. Çdo vlerësim që kam marrë deri tani në lidhje me projektin më ka gëzuar më shumë për vetë atë, vetëm që të bëhet i suksesshëm dhe të arrij qëllimin. Qëllimin për t’ju ofruar librin në një mënyrë tërësisht të re të gjithë fëmijëve të izoluar.

KultPlus: Megjithatë, edhe pse një projekt që kishte një vizion shumë afatgjatë dhe shumë i qëlluar për nxënësit e Kosovës, duke pas parasysh se “Bunateka”, ngërthente krijimin e bibliotekave nëpër vende të ndryshme të Kosovës, kryesisht në vende rurale, nuk e gjeti mbështetjen e duhur nga institucionet e Kosovës, sa të dhëmbi ky fakt?
Bujar Nrecaj: Në vitin 2008, kur u ktheva nga Zvicra në Kosovë, isha shumë i entuziazmuar dhe plot vullnet për të kontribuar dhe punuar për Kosovën. Që në fillim, për dy muaj rresht jam përpjekur të gjej një termin me dikë në Ministrinë e Arsimit, për të prezantuar projektin, por asnjëherë nuk mund të më gjenin termin të lirë. Është dashur të përdorë Ambasadën e Zvicrës që përmes atyre të gjej një termin dhe ta prezantoj projektin e „bunatekës“ te zëvendësministri i atëherëshëm. Përkrahje nuk kam gjetur dhe pasi projektin, qysh atë ditë ma refuzuan, i kam informuar se unë prapë do të provoj dhe do të mundohem vetë ta realizoj atë. I zhgënjyer nga ai takim, kam filluar ta prezantoj projektin nëpër Ambasada e organizata ndërkombëtare, deri sa Ambasadori i Norvegjisë Sverre Johan Kvale bashkë me Agon Maliqin më pranuan në takim dhe treguan gatishmëri për financimin e „bunatekës“ së parë. Pasi kisha realizuar disa “biblioteka” me Ambasaden e Norvegjisë unë e kam njoftuar prapë Ministrinë e Arsimit dhe kam kërkuar mbështetjen e tyre, por edhe atëherë nuk ishin të gatshëm dhe vazhdova vetë! Fakti që „bunateka“ tani vlerësohet ndërkombëtarisht, është sa e gëzueshme, aq edhe e hidhur dhe e dhimbshme që institucioni kryesorë i Edukatës nuk u bë asnjëherë pjesë e këtij projekti për ti ndihmuar fëmijëve të Kosovës. Për disa nga fituesit e çmimit AKAA „bunateka“ ka qenë projekt favorit për të fituar çmimin.
KultPlus: Dhe jo rrallë po ndodhë, që projektet e refuzura apo të mbështetura pjesërisht nga institucionet e Kosovës, më pas të vlerësohen në nivel ndërkombëtar, e mendoni se në shumë gjëra po jemi të vonuar?
Bujar Nrecaj: Në Kosovë ka ndodhur në të kaluarën dhe ndodh edhe sot, që sikur në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato qendrore zgjidhen nga vetë shoqëria kosovare njerëz që nuk e kuptojnë mirë detyrën për të cilën janë zgjedhur. Nuk ka prej atyre që e duan dhe e respektojnë punën si shërbëtorë të popullit dhe që duan me të vërtetë me rolin e tyre të caktuar ti kontribuojnë asaj shoqërie. Vetëm me vizion të qartë, duke besuar në atë dhe duke punuar për atë, mund të arrish në kohë! Të them të drejtën, nuk habitem kur vonohen me vlerësimet e ideve apo projekte të suksesshme.
KultPlus: Poashtu ju reaguat edhe për rezultatin e PISA, që ndërlidhej edhe me mos realizimin e “Bunateka”, keni forcë që ta riaktualizoni kërkesën e juaj edhe njëherë?
Bujar Nrecaj: Qëllimi kryesor i „bunatekës“ është që fëmijëve në vendet rurale të ju ofrohet mundësia të kenë librin më afër, të shoqërohen me atë, të informohen më shumë dhe të zhvillojnë mënyrën e të menduarit kritik. Mënyra si ju ofrohet fëmijëve libri përmes „bunatekës“ është inovative, pasiqë tendenca është që libri i bibliotekës të mos duket si obligative mbrenda hapësirës shkollore, por dicka që ata mund ta lexojnë edhe në kohën e lirë. Sikur të pranohej projekti që në fillim dhe të realizohej bunateka në të gjitha fshatrat e Kosovës besoj fort se, nëse jo shumica e fëmijëve, së paku një pjesë e tyre do të ishte sot më e përgatitur edhe për testin e PISAs. Librat në „bunateka“ janë aq të lloj-llojshme sa që secili tip i fëmijës do të gjej librin e përshtatur. Projekti gjithnjë ka qenë aktual për ata që duan të kontribuojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Kosovës. Une tani nga Zvicra jam duke u përpjekur të gjej format për zgjerimin e rrjetit të „bunatekës“ dhe shpresoj se me këtë edhe në Kosovë do të zgjerohet.

KultPlus: Dhe pos “Bunateka”, një revistë prestigjioze e Zvicrës ju radhiti në mesin e 4 burrave më të suksesshëm të vitit, e kishit menduar se do të rangohetit në këtë listë?
Bujar Nrecaj: Nuk e prisja absolut, sidomos pranë figurave si Sergio Ermotti e Dieter Meier, por sigurisht ishte e mirëseardhur. Natyrisht se edhe kjo së pari më shpërblen energjinë e hargjuar deri më tani, por edhe më motivon shumë për të ardhmen.
KultPlus: Dhe, pavarësisht këtyre sukseve, ardhjet e juaja në Kosovë, apo vazhdojnë të kalojnë në mënyrë të heshtur, apo më saktë, sa kërkojnë përfaqësuesit e institucioneve të takohen me ju?
Bujar Nrecaj: Institucionet nuk kanë kërkuar asnjëherë dhe nuk janë duke kërkuar takim me mua!
KultPlus: Jemi në prag të vitit 2017, ka ndonjë projekt tjetër që mund të ju lidhë me Kosovë?
Bujar Nrecaj: Po, kam edhe shumë ide dhe projekte që mendoj ti realizoj në Kosovë dhe në disa jam edhe duke punuar. Kosova në vitet pas Pavarësisë nuk është nisur drejt. Për shumë aspekte si akademike, politike, kulturore e shkencore ajo nuk është përcaktuar qartë dhe kështu ia ka vështirësuar rrugën vetës. Sot, shoqëria është e irrituar dhe secili mundohët të gjej zgjidhjen individualisht. Kjo e zbeh edhe më shumë bashkëpunimin shoqëror dhe krijon kaos në secilën fushë. Ndoshta për krijuesit kjo mund të shihet edhe si potencial, se në situata të tilla dhe në mungesë të rregullave, shpesh mund të rimendohen gjërat apo të lindin ide e reja. 2017 shpresoj të bëhet viti i krijuesve!
KultPlus: Dhe për fund, me cfarë projektesh mund të na prezantohesh përgjatë në një të ardhme të afërt?
Bujar Nrecaj: Jam duke punuar në disa ide për forma të reja të banimit./KultPlus.com



