U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj katër të dyshuarve për dyshimet për zhvatjen e mbi 1 milionë euro ndaj BSK-së
Gjykata ia ka vazhduar paraburgimint 4 të dyshuarve në rastin e keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Për të dyshuarit, Sami Mazreku, Valon Berisha, Florent Sylejmani dhe Ylli Çollaku, gjykata ka vlerësuar se ende ekzistojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke u bazuar në rrezikun e pengimit të procedurës penale dhe rrethana të tjera të parashikuara me Kodin e Procedurës Penale, ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tjerë, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi.
Ata po dyshohen se janë të përfshirë në keqpërdorimin e 1 milion euro nga BSK.
Përveç paraburgimit, gjykata ka vendosur edhe masa alternative si obligimin për paraqitje të rregullt në stacion policor dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, me qëllim të parandalimit të ndikimit në procesin gjyqësor.
Në aktvendim e publikuar më 06.02.2026, thuhet se këto masa janë të domosdoshme dhe proporcionale për sigurimin e mbarëvajtjes së procedurës penale, derisa çështja të marrë epilog gjyqësor.
“Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 48 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit të Kosovës, në Prishtinë”- thueht në aktvendimin e gjykatës.
Më 09.1.2026, është mbajtur seanca dëgjimore në rastin e 39 të arrestuarve nën dyshimin për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK) në Gjykatën e Prizrenit.
Për katër të dyshuar u kërkua masa e paraburgimit e për të tjerët masa e paraqitjes në stacion policor si dhe mosafrimi te objekti i BKS-së.
Ndryshe, informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disamujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit gjatë ditës së djeshme, më 08.01.2026.
45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar e shtatë të tjerë janë në kërkim – ky është bilanci i aksionit i cili u realizua më 08.01.2026 në disa regjione të Kosovës.
Dosja e BSK tashmë do të vazhdojë edhe tutje të trajtohet, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka ngrirë xhirollogaritë e të dyshuarve të cilët pretendohet se përfituan kundërligjshëm kompensime nga BKS, këtë siç thot Prokuroria e mundësuan Mazreku e Berisha.
Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milion e 40 mijë euro./Periskopi/



