“U vranë para derës së shtëpisë” – Krejt çka dihet për vrasjen e dy vëllezërve nga burri i motrës në Malishevë
Erdhën nga gurbeti për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait, por Naim dhe Driton Morina dy vëllezër nga fshati Gollubovc i Malishevës, u vrarë sot nga burri i motrës së tyre, Astrit Isufi, shkruan Periskopi.
Lajmin për vrasjen e dy vëllëzërve e ka konfirmuar për Periskopin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës Sheremet Elezaj.
Sipas raportimeve të dy viktimat ishin mërgimtarë që kishin ardhur nga jashtë për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tyre, i cili kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
“Para 4 dite jane ardhe ne Kosove nga gurbeti, se kane pase rast vdekje iu ka vdek baba”, tha ky burim për Insajderin.
Si ndodhi ngjarja tronditëse?
Sot, në momentin kur ende po vinin njerëz për ngushëllim, i dyshuari ka shkuar për ta marrë bashkëshorten. Pasi është larguar disa metra nga oborri, është kthyer përsëri dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.
Të dy kanë ndërruar jetë në vend.
“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë,” ka thënë një i afërm i familjes, për Sinjalin.
Në vendin e ngjarjes tashmë kanë dalur një numër i madh i Policëve, ndërsa të pranishëm janë edhe kryeprokurori dhe prokurori i rastit, kanë thënë nga Prokuroria Themelore.
Ndërsa i dyshuari për vrasjen e miqve të tij Astrit Isufi, nga fshati Sankovc i Drenasit ndodhet ende në arrati, në kërkim të tij është vënë edhe njësiti K9 i Policisë.
Isufi është emër i njohur për organet e rendit, kjo është konfirmuar për klankosovën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Astrit Isufi ka qenë i dyshuar për dy vepra penale që janë “Dhunë në familje dhe kanosje”.
Sipas Express gruaja e të dyshuarit, përkatësisht motra e viktimave, ka qenë në veturën e të dyshuarit kur ka ndodhur rasti.
Lidhur me rastin para disa minutave ka dhënë detaje edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi.
Ai para gazetarëve tha se ende nuk dihet saktë motivi i vrasjes dhe se i dyshuari ndodhet ende në arrati.
Deri tani janë shoqëruar në stacion policor disa persona që janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, në mesin e tyre edhe familjarë të viktimave./PERISKOPI/
Raportohet se ky është i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës
Publikohet foto e të dyshuarit për vrasjen e dy vëllëzërve të gruas së tij në Malishevë
Vrasja e dyfishtë në Malishevë, Kryeprokurori: Kryesi është ende në arrati
Policia në kërkim të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve në Malishevë, aktivizon Njësinë K9 – pamje
Këta dyshohet të jenë dy vëllezërit që u vranë nga dhëndrri në Gullbovc të Malishevës



