Ukraina kërkon një datë për anëtarësim në BE
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina “ka nevojë për një datë” për pranimin e saj në Bashkimin Evropian dhe se ai synon të jetë gati për t’u bashkuar në vitin 2027.
“Na duhet një datë”, tha ai gjatë një konference për shtyp.
“Data e pranimit varet nga të gjitha këto bisedime me partnerët, por, dhe nuk dua të kem mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, na duhet një datë sepse përndryshe Rusia do të përpiqet të na bllokojë – drejtpërdrejt ose ndoshta nëpërmjet vendeve të tjera”, shtoi ai, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“Ukraina duhet të jetë teknikisht gati për t’u bashkuar me vitin 2027, qeveria ime, parlamenti, institucionet”, vazhdoi Zelensky.
Ndryshe, së fundmi ai u pyet nga gazetarët nëse është i shqetësuar se rusët do ta helmojnë.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër”, u përgjigj ai.
“Duhet të luftojmë çdo ditë. Çdo ditë është një jetë e re. Qëllimi ynë i vetëm është të mbijetojmë”, shtoi lideri ukrainas.
Ai vazhdoi: “Nuk mendoj për veten time sepse kemi humbur shumë njerëz. Unë jam një nga shumë njerëz në Ukrainë që luftojnë” .
“Nuk mund të mendoj për Vladimir Putinin dhe ambiciet e tij helmuese, nëse i ka. Mundohem të mos mendoj për këtë, përndryshe është e vetmja gjë për të cilën mendoj”, shtoi tutje./Periskopi



