Vazhdojnë akuzat, Sinani-Arifit: Je në siklet, nuk po arrin as me nis qeverisjen

Vazhdojnë akuzat, Sinani-Arifit: Je në siklet, nuk po arrin as me nis qeverisjen

Akuzat në mes ish-kryetarës së Preshevës dhe atij aktual po vazhdojnë, shkruan Periskopi.

Ardita Sinani kësaj radhe iu ka kundërpërgjigjur akuzave të Shqiprim Arifit, duke thënë se akuzat e tij ndaj saj po bëhen me qëllim që ta largojë vëmendjen, sepse sipas saj nuk po kryhen punë në Preshevë.

“Nuk po arrin as me nisur qeverisjen. Prandaj edhe nuk po flet se çka po punon, se nuk ka çfarë të tregojë. Nuk po flet për vizita. Se askush nuk e ka vizituar ende, apo ftuar”, ka shkruar ajo.

Tutje, Sinani ka vazhduar të hedhë akuza ndaj kryetarit të Preshevës, Shqipërim Arifi, duke shtuar se ai i përgjigjet me kënaqësi ftesave të Serbisë dhe i refuzon ato të Kosovës.

Postimi i saj i plotë:

Shqiprimi është në siklet.

Është i vetëdijshëm që nuk ka përkrahje popullore dhe që është i padëshiruar gjithandej.

Shqiprimi është i shqetësuar.

Nuk po arrin as me nisur qeverisjen. Prandaj edhe nuk po flet se çka po punon, se nuk ka çfarë të tregojë.

Nuk po flet për vizita. Se askush nuk e ka vizituar ende, apo ftuar.

Prandaj po tenton me shmangur vëmendjen me akuza të stërvjetëruara dhe të pabazuara ndaj opozitës. Ndaj meje.

Por, sikleti dhe shqetësimi i Shqiprimit po ndikon siç duket që edhe po harron se të tjerët nuk harrojnë.

Se Shqiprimi nuk është vetëm kryetari i parë në historinë e Preshevës që i përgjigjet me kënaqësi ftesave të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe që refuzon me neveri ftesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Se Shqiprimi është edhe i vetmi kryetar Komunë në historinë e Preshevës që i kanë dalur bashkëpunëtorët më të afërt nga puna me pranga, si të arrestuar nga ana e njësiteve të agjencisë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

I njëjti Shqiprim që sot përpiqet ta fsheh faktin se ka aktualisht dhjetëra lëndë të proceduara në organet e hetuesisë për korrupsion të lartë. Edhe atë për qindra mijëra euro për vetëm disa prej tyre.

Akuzat e stërvjetëruara ndaj opozitës nuk e shpëtojnë Shqiprimin.

As nga zgjedhjet e reja prej të cilave ka frikë. As nga e vërteta e tij korruptive me qindra mijëra euro.

 

Shpërndaje në: