Vëllai i Epstein: Jeffrey u vra, s’më intereson çfarë ndodhi me viktimat
Vëllai i Jeffrey Epstein, Mark Epstein, pretendon se një raport i ri do të vërtetojë se financuesi famëkeq është vrarë dhe nuk ka kryer vetëvrasje.
Në një intervistë për emisionin “Uncensored” të Piers Morgan, Mark Epstein u shpreh se tashmë beson se vëllai i tij, i denuar për abuzim seksual, është vrarë. Sipas tij, një ekip mjekësh po rishqyrton gjetjet e autopsisë, e cila, siç pretendon ai, nuk është kryer siç duhet që në fillim.
“Kjo do të tregojë pa asnjë dyshim se nuk ishte vetëvrasje. Pastaj lind pyetja: kush e vrau dhe kush e urdhëroi vrasjen? Pse gjithë këto lojëra? Pse gjithë kjo errësirë? Thjesht nuk ka kuptim”, tha Mark Epstein, vëllai i Jeffrey Epstein.
Epstein u ndal edhe te zhdukja e pamjeve të sigurisë nga Metropolitan Correctional Center, ku Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në vitin 2019. Ai ngriti dyshime edhe për, sipas tij, fshehjen dhe censurimin e dokumenteve zyrtare.
Megjithatë, intervista mori një tjetër kthesë kur u pyet për viktimat e vëllait të tij dhe nëse ai kishte dijeni për veprimtarinë kriminale para vdekjes.
“Sinqerisht, për fat të keq, nuk më intereson fare. Jam i shqetësuar vetëm për faktin që vëllai im, kushdo dhe çfarëdo që të ketë qenë, u vra. Ky është shqetësimi im”.
Ai shtoi gjithashtu se nuk kishte dijeni për krimet e vëllait të tij para se ato të bëheshin publike. “Shumë nga ato që dolën më habitën. Nuk isha në dijeni të këtyre gjërave,” përfundoi ai./Periskopi/



