Vendim nga Specialja: Thaçit, Veselit dhe Bahtjarit i vazhdohet paraburgimi

Vendim nga Specialja: Thaçit, Veselit dhe Bahtjarit i vazhdohet paraburgimi

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që të vazhdojnë masën e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, dhe ish-deputetin, Ismet Bahtjarin.

Në vendime të veçanta për Thaçin dhe Veselin, trupi gjykues ka konstatuar se ende ekzistojnë rreziqe që ata të pengojnë procesin gjyqësor.

“Më 15 prill 2024, Trupi Gjykues, me vendime më vete për secilin, vazhdoi paraburgimin e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Trupi gjykues theksoi se vazhdon të ekzistojë rreziku i pengimit të procesit dhe i kryerjes së akteve penale, i cili mund të zvogëlohet vetëm me monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së.”

Doyle shtoi se në rastin e Thaçit, trupi gjykues ka identifikuar se ai ka ndarë informacione rreth dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur me vizitorët, dhe ka dhënë udhëzime të caktuara një vizitori për t’i kaluar një dëshmitari të ardhshëm.

“Në këtë kontekst, në rastin e z. Thaçi Trupi Gjykues përsëriti konstatimet e mëparshme se duket se z. Thaçi u tregoi vizitorëve informacion të nxjerrë gjatë dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur dhe se dokumentet sugjerojnë se ai i dha një vizitori jo të privilegjuar udhëzime për t’ia kaluar një dëshmitari të ardhshëm të ZPS-së në lidhje me mënyrën dhe përmbajtjen e dëshmisë që do të jepte ai dëshmitar”, u shpreh ai.

I pyetur për vendimin ndaj Ismet Bahtjarit, Doyle konfirmoi se Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vlerësuar se paraburgimi është ende i arsyeshëm, veçanërisht për shkak se Bahtijari ka motivet, mjetet dhe mundësinë për të penguar procesin dhe për të manipuluar provat.

Përveç kësaj, Doyle informoi se “kërkesa e Veselit për leje për apelimin e vendimit mbi pranimin e disa provave është refuzuar nga trupi gjykues, i cili ka vërejtur mungesën e provave për ndonjë padrejtësi.”

Ndërsa, në lidhje me rastin e Pjetër Shalës, Doyle bëri të ditur se deklaratat përmbyllëse janë dëgjuar dhe trupi gjykues e ka shpallur çështjen të mbyllur, duke shtuar se vendimi i gjykimit do të shqiptohet brenda njëzetenjëdhjetë ditëve.

Në përfundim, Doyle theksoi se Apeli ka hedhur poshtë apelimin e Haxhi Shalës kundër vendimit për paraburgimin e tij dhe theksoi se “versioni publik i vendimit për rishikimin e paraburgimit të Ismet Bahtjarit është publikuar.”

Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë të mbajnë informime javore çdo të enjte për të njoftuar opinionin mbi zhvillimet e reja në lidhje me procedurat gjyqësore, njofton Telegrafi.

Shpërndaje në: