Vendimi i Gjykatës Kushtetuese – PDK e VV përgatisin kërkesa të reja

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese – PDK e VV përgatisin kërkesa të reja

Partia Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen me kërkesa të reja Gjykatës Kushtetuese, pas publikimit të aktgjykimit në lidhje me bllokadën e krijuar tash e tre muaj në Kuvendin e Kosovës.

Fillimisht, Mimoza Kusari-Lila e VV-së të martën deklaroi se “duhet një adresim i Kushtuetueses edhe në lidhje me mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare”.

Kështu ajo shtoi se po përgatiten që t’i drejtohen Gjykatës:

“Nuk e kemi leximin e njejtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rethanat një interpretim i tillë, ndërsa synimi i tretë është e mëse e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mos pjesëmarrje në votim”.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku po ashtu ka thënë se janë duke mbledhur nënshkrimet dhe se do të kërkojnë të kuptojnë se cilat janë pasojat e mosveprimit nga ana e deputetëve.

“Ne do të ndërmarrim hapa brenda këtyre ditëve, lëndën e kemi përgatitur, nënshkrimet jemi duke i mbledhur dhe do të kemi një kërkesë të re për sqarime nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse për ne është shumë i qartë mirëpo do të mundohemi të kuptojmë më qartë cilat janë pasojat e një mosveprimi nga ana e deputetëve. Do të duhej të kishte një pasojë për mos respektimin të aktgjykimit të Kushtetuese. Pra ne do të kërkojmë qartësim cilat janë pasojat për deputetin apo deputeten që nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese” – ka thënë ajo.

Tutje, Çitaku ka thënë se vendimet e Kushtetueses “nuk janë tavolinë suedeze ku përzgjedhin të zbatojnë vetëm ato që i pëlqejnë”.

“Nuk dua të spekuloj, ne si PDK jemi munduar të respektojmë integritetin e institucioneve të pavarura sepse i kemi ndërtuar bashkërisht me shumë mund e sakrificë. Ka ndodhur që ndonjëherë nuk na kanë pëlqyer aspak vendimet që ka marrë Gjykata Kushtetuese por vendimet e saj nuk janë tavolinë suedeze ku ne përzgjedhim dhe i zbatojmë vetëm ato që na pëlqejnë dhe i lëmë anash ato që nuk na pëlqejnë” – u shpreh ajo në “Rubikon”.

Theksojmë se javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese pasditen e së enjtes doli me vendim pas kërkesës së opozitës për sqarim lidhur me votimin e fshehtë, ku mes tjerash, subjektet politike janë obliguar për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendit, ndonëse nuk sqarohet se çka ndodhë më tutje./Periskopi/

Shpërndaje në: