Vendos Vjosa Osmani, Konjufca zyrtarisht kandidat për kryeministër
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë vendim që, i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca të jetë kandidat për kryeministër, raporton Periskopi.
Këtë vendim, Osmani e mori pas takimeve që ajo ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Po ashtu, një takim me Osmanin, i është propozuar edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, porse ky i fundit nuk ka shkuar pasi që i njëjti ka qenë në aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh.
Glauk Konjufca është propozuar sot për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Ndryshe, edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje partive politike të vendit që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Për BE-në, zgjerimi është një imperativ strategjik – një investim në stabilitet, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Orav gjatë konferencës për media të martën bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku po prezantohen të gjeturat e Raportit të Progresit./Periskopi/



