Vendosen kamera të sigurisë në komunat veriore, policia: Po angazhohemi për sigurinë publike

Vendosen kamera të sigurisë në komunat veriore, policia: Po angazhohemi për sigurinë publike

Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kanë njoftuar se vendosja e kamerave të sigurisë në katër komunat veriore po bëhet në përputhje të plotë me ligjet, duke garantuar respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në një komunikatë përbashkët këto dy institucione thanë se po angazhohen për të mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë publike, e edhe duke respektuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi njoftojnë publikun për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, i cili aktivitet zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional. Ky aktivitet është bërë në konsultim mes dy institucioneve në ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Bazuar në Ligjin Nr. 04/L-076 për Policinë, Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në njoftim.

Policia tha se çdo veprim për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë u krye në prezencë të inspektorëve të AIP-së.

“Nëpërmjet kësaj nisme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi theksojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë publike, duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e qytetarëve”, thuhet tutje.

Shpërndaje në: