Vendosja e mjetit shpërthyes nën një veturë në Leposaviq, Sveçla akuzon Serbinë për “terrorizëm”

Vendosja e mjetit shpërthyes nën një veturë në Leposaviq, Sveçla akuzon Serbinë për “terrorizëm”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të një veture në Leposaviq nën të cilën ishte vendosur sot një mjet i pashpërthyer, i cili më pas u largua në mënyrë të sigurt nga vendi i ngjarjes. Këtë akt, ministri Sveçla e ka cilësuar si tendencë të Serbisë për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.

Ministri Sveçla pohon se “kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha”.

Sveçla deklaron se “zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”.

“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm”, shkruan tutje Sveçla.

Pamjet:

Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në…

Posted by Xhelal Sveçla on Tuesday, April 9, 2024

 

Për këtë rast, KFOR ka dhënë detaje me anë të një njoftimi dërguar mediave, duke rikonfimuar largimin e mjetit të pashpërthyer nga vendi i ngjarjes.

“Një pajisje e dyshimtë është gjetur sot nga Policia e Kosovës e vendosur nën një veturë, në Leposaviq. Pas një kërkese të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ka intervenuar me shpejtësi një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Personeli i Policisë së Kosovës e largoi në mënyrë të sigurt mjetin e pashpërthyer nga vendi, në koordinim të ngushtë me një ekip të KFOR-it të SHBA-së për EOD”, thuhet në njoftimin e KFOR.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se me të marrë informacionin, në vend të ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të policisë.

“Sot rreth orës 11.00, policia ka pranuar informacion se nën një veturë në qytetin e Leposaviqit gjendet një mjet i dyshimtë i pashpërthyer. Policia ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigjur njësitet relevante policore, duke përfshirë edhe Njësinë K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFOR-i amerikan”, ka thënë Elshani për Express.

Shpërndaje në: