Vërshohet Gjakova

Vërshohet Gjakova

Shiu deri më tani raportohet se ka shkaktuar dëme të mëdha materiale si dhe ka ngujuar disa familje.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim në Gjakovë, Ndue Muqaj, i cili ka thënë se qyteti me fshatra po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme.

“Kemi të reshura shumë të mëdha, para 15 minutash u kthyem nga tereni dhe kemi disa pika kritike ku është gjendja e rëndë. Sa i përket familjeve të bllokuara, ne si drejtori kemi bërë çmos dhe sot do të vazhdojmë që ata mos të mbesin të ngujuar sepse e kemi bërë të mundur hapjen e një rruge, jo të asfaltuar por vetëm që ato 35 familje të një fshati të mos mbesin të bllokuara”, ka thënë Muqaj.

Sipas tij, familjet me mjete të rënda mund të kalojnë sepse afër aty është edhe një fshat tjetër dhe ka një urë, duke premtuar se do t’ia rregullojnë rrugën sa më parë.

“Mbrëmë kemi punuar deri vonë dhe sot besoj se për dy orë ata do të mund të kalojnë edhe me makina, nuk do të mbesin të ngujuar. Gjendja momentale është jashtëzakonisht e rëndë dhe presim që për fat të keq do të kemi vërshime, edhe pse ne po mundohemi me operatorin ekonomik të cilin e kemi përzgjedhur për intervenime emergjente, mirëpo kemi të reshura jashtëzakonisht të mëdha që nuk mbahen mend kohëve të fundit”, theksoi Muqaj.

Ai tha se shiu ka shkaktuar dëme të mëdha në bagëti, pylltari, blegtori, bujqësi, por siç tha ai, ato tani janë shumë të vogla në krahasim me këto tjerat që po ndodhin.

screenshot_6

Shpërndaje në: