Vetëvendosje me njerëz dhe ide të ekstremit të djathtë: Ky është kandidati i tyre për deputet nga Balli Kombëtar

Vetëvendosje me njerëz dhe ide të ekstremit të djathtë: Ky është kandidati i tyre për deputet nga Balli Kombëtar

Gazmend Islami është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Por, ka një problem: ai është ideologjikisht i rreshtuar kah ekstremi i djathtë me partinë e tij që quhet Balli Kombëtar Demokrat.

Të gjitha protestat e rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje u bënë me motive nacionaliste deri tash. Ndërkohë, pjesa bërthamë e programit të saj politik është projekti i Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ose siç njihet ndryshe “Bashkimi kombëtar”.

Vetëvendosje u kritikua ashpër për qëndrimin e saj të rreptë karshi simboleve të Kosovës. Albin Kurti nuk ishte ngritur në këmbë për të respektuar himnin e shtetit nga i cili paguhet. Këtë e kishin bërë më herët edhe bashkëpartiakët e tjerë të tij, shkruan Periskopi.

Por, matanë këtij nacionalizmi prapakthyes, hasim një mungesë të madhe të politikave zhvillimore të majta që do të duhej të prioritetizoheshin. Vetëvendosje vazhdon të mos i bëj vend këtyre politikave në majë të projektit të saj.

Dhe, si të mos mjaftonte kjo, në këtë parti kanë depërtuar shumë njerëz që ishin pjesë e partive të djathta.

Por, ajo që lë përshtypje të thellë është afrimi i Gazmend Islamit, i cili është bërë edhe pjesë e listës për deputetë të kësaj partie. Ai e ka relativizuar dallimin e themeltë ideologjik duke deklaruar se aktualisht me rëndësi është çkapja e shtetit.

“Kur vendi është pranë humnerës nga njerëz të papërgjegjshëm, frymat politike të djathta e të majta bien poshtë, ndërsa duhet bashkimi i forcave të njerëzve të pa korruptuar dhe atyre që nuk dëshirojnë ta shohin Kosovën të ndarë në marrëveshje të Brukselit.” – ka deklaruar z.Islami në një intervistë për gazetën Bota Sot.

Të shpresojmë që në një të ardhme të afërt, partitë politike në vend të fillojnë të marrin seriozisht profilizimet ideologjike. /Periskopi

Shpërndaje në: