Vetëvendosje përmbys një kamion me produkte serbe

Vetëvendosje përmbys një kamion me produkte serbe

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë përmbysur një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë.

Ky aksion sipas një komunikate të kësaj lëvizje është si kundërpërgjigje për librat që s’janë lejuar të shkojnë në Preshevë për nxënësit shqiptarë në shkollat shqipe.

“16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e “Zajednicës””, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë”, thuhet më tej në komunikata. Vetëvendosje thotë se do të vazhdojnë me aksionet e tilla deri sa Serbia të pranojë reciprocitet me Kosovën.

 

Shpërndaje në: