Vjedhja në Thesar: Prokuroria s’tregon nëse po e heton çështjen e ‘userit’ të zyrtarit të MI-së, hesht edhe ministria

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale nuk tregon asgjë lidhur me hetimet e një prej skandaleve më të mëdha që kanë ndodhur në Qeverinë e Kosovës. Edhe Ministria e Infrastrukturës ka zgjedhur të hesht për rastin e ‘userit’ të një zyrtari të saj, që po del se ishte vendimtar për ta kryer me sukses vjedhjen e mbii 2 milionë eurove të shtetit.

Përveç zyrtarit të Thesarit, Labinot Gruda dhe pronarit të kompanisë “LDA Group”, ende askush tjetër nuk është ndaluar apo arrestuar për vjedhjen e afro 2.1 milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Gruda dyshohet se më 9 tetor krijoi disa ‘userë’ të rremë për t’i kryer vetë katër transaksione të njëpasnjëshme që i çuan 2,077,995.90 euro në llogarinë e “LDA Group”, në pronësi të Kadri e Valon Shalës. Por, nga Ministria e Financave kanë thënë se njëri nga ‘userët’ nuk ishte fiktiv. Me ‘userin’ e Fadil Fazliut, që deri më 14 janar punonte në Ministrinë e Infrastrukturës si zyrtar certifikues, pas më shumë se 9 muajsh dyshohet se u certifikua vjedhja e mbi 2 milionë eurove.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express nëse po e heton edhe çështjen e ‘userit’ të zyrtarit Fadil Fazliu.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu nuk ka dashur ta tregojë as emrin e prokurorit që po merret me këtë rast. As Ministria e Financave nuk është përgjigjur për mundësinë e implikimit të këtij zyrtari dhe nëse Prokuroria e ka intervistuar dikënd brenda këtij dikasteri.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, të hënën në Pressing të T7 tha se Gruda kishte mundur që vetë të krijonte gjithçka në mënyrë fiktive për ta realizuar këtë plan, por jo edhe ta certifikonte pagesën. Për ta bërë hapin më të rëndësishëm, Bajrami tha se ai e ka shfrytëzuar ‘userin’ ende aktiv të Fadil Fazliut, i cili e kishte lënë Ministrinë e Infrastrukturës për t’u angazhuar si ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Njësisë për Patentë Shoferë në Mitrovicë. Nga gjurmimet e IT-së në Ministrinë e Financave, Bajrami ka treguar se Gruda e ka thyer ‘passwordin’ e Fazliut për t’i kompletuar të gjitha transaksionet nga tavolina e tij e punës.

“Kur ka ardhë te certifikimi, e ka thy, e ka bërë reset passwordin e certifikuesit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtar ky, i cili për çudi, nuk punon në Ministri të Infrastrukturës që 9 muaj”, ka thënë Bajrami, e cila e ka arsyetuar gjithë dyshimin e saj me mungesën e një kërkese nga Ministria e Infrastrukturës për t’ia mbyllur ‘userin’ Fadil Fazliut, pasi ky i fundit ishte larguar nga pozita e zyrtarit certifikues në janar.

Për ta marrë edhe versionin e Fadil Fazliut për të gjitha pretendimet dhe dyshimet, Gazeta Express tash e tri ditë ka provuar që të kontaktojë me të, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Nga zyra e tij në Mitrovicë, të martën kanë thënë se Fazliu është në pushim.

Lidhur me implikimin e mundshëm të Fadil Fazliut në këtë vjedhje, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, në një konferencë për media të martën ka thënë se ministrja Hykmete Bajrami mund të jetë keqinformuar nga ata që duan ta heqin përgjegjësinë nga vetja. Ai ka treguar se Fazliu është ende pjesë e kësaj ministrie dhe se në çdo kohë mund të kthehet në pozitën ku kishte qenë më herët.

Nga të dhënat e deritashme të MI-së, Bytyqi kishte thënë se asnjë zyrtar i këtij dikasteri nuk është i dyshuar për këtë rast dhe nuk është intervistuar nga Prokuroria.

“Nuk ka ndonjë ndërlidhje të asnjë zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës në këtë proces… Deri tash nuk ka asnjë zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës që është intervistu. Nuk dmth që në të ardhmen nuk ka me ndodhë”, kishte thënë i MI-së.

E Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në të njëjtën konferencë kishte thënë se pa dashur ta shfajësojë zyrtarin e kësaj ministrie, procesi i ‘userëve’ është në dorë të Ministrisë së Financave, përkatësisht Thesarit. Kjo, sipas tij, është çështja që duhet të hetohet.

“Është proces që nuk është në dorë të ministrisë. Çështja e ‘userave’ dhe certifikimi i ‘userave’ shkon përmes Thesarit sa e di unë. Kalojnë në trajnime dhe ata janë zyrtarë të cilët mandej punojnë për Ministrinë por realisht i kryejnë shërbime edhe Thesarit edhe Ministrisë. Prandaj është diçka që duhet me u hetu. Ajo që e tha sekretari, ai ka atë emërim dhe është zyrtar certifikues, pa dashtë me e shfajësu”, kishte deklaruar Abrashi.

Labinot Gruda kishte qenë i ngarkuar me procedurën për menaxhimin e qasjes së përdoruesve në sistemin informativ të menaxhimin e financave të Kosovë. Sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ai i ka keqpërdorur të gjitha këto autorizime duke krijuar llogari të rreme dhe duke vepruar si zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Ka kriju llogari të rrejshme dhe ka vepru sikur të ishte zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, duke dhënë të gjitha urdhërat: duke dhënë urdhër-blerjen, duke bërë pranimin e mallit, duke bërë certifikimin e dokumentacionit, duke bërë shpenzimet dhe në fund duke bërë certifikimin. I ka kryer disa hapa, të, të cilët sipas ligjit dhe procedeurës, do të duhej t’i kryenin zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturëse”, ka thënë Bajrami.

Kësisoj, Gruda dyshohet e kishte regjistruar edhe kompaninë “LDA Group” si furnitor bashkë me numrin e xhirollogarisë dhe e kishte bërë urdhrin për pagesë.

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore e Prishtinës javën e kaluar ia ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërkaq pronari i “LDA Group”, Kadri Shala, që ishte në arrati bashkë me Valon Shalën, të hënën u dorëzua në Policinë e Kosovës, ashtu siç kishte paralajmëruar në një letër të dërguar në Express dhe T7. Të martën, Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi edhe atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në arrati, ende ndodhet Valon Shala, përfaqësues i autorizuar i “LDA Group”.

Shpërndaje në: