Vjen reagimi i presidentit të Iranit mbi bisedimet me SHBA-në
Negociatat amerikano-iraniane, që synojnë përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, kanë nisur në Islamabad të Pakistanit.
Kështu ka njoftuar kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili u takua veçmas me anëtarët e dyja delegacioneve.
Tani ka reaguar presidenti i Iranit në lidhje me bisedimet, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“Delegacioni iranian i rangut të lartë që ka mbërritur në Pakistan është, me të gjitha fuqitë e tij, mbrojtësi i interesave të Iranit dhe, në këtë drejtim, do të negociojë me guxim”, deklaroi Masoud Pezeshkian.
“Sidoqoftë, shërbimi ynë ndaj popullit nuk do të ndalet për asnjë moment dhe, cilido qoftë rezultati i negociatave, qeveria qëndron fort pranë popullit”, shtoi ai.
Ndryshe, e nisur më 28 shkurt me ofensivën izraelito-amerikane kundër Iranit, lufta deri më tani ka marrë mijëra jetë, kryesisht në Iran dhe Liban, ndërkohë që po trondit edhe ekonominë globale./Periskopi



