Vojvoda: Kualifikimi në Botëror do të ishte realizim i ëndrrës së fëmijërisë
Mërgim Vojvoda, një prej shtyllave të mbrojtjes së Kombëtares së Kosovës, në episodin më të ri në ‘FFK Podcast’ ka shpalosur emocionet, synimet dhe realizmin e një futbollisti që ka kaluar vite të rëndësishme me fanellën e Dardanëve.
Për të, kualifikimi në Kampionatin Botëror 2026 do të ishte kulmi i karrierës dhe realizimi i ëndrrës së fëmijërisë. Ai ka theksuar se një sukses i tillë do të kishte peshën e një momenti që e tejkalon çdo arritje individuale.
Në analizën e tij për duelin e parë të “play-off”-it, Vojvoda e sheh sfidën kundër Sllovakisë si tërësisht të hapur, duke vlerësuar se ekipi i Kosovës ka treguar pjekuri dhe karakter për ta çuar deri në fund këtë rrugëtim. Sipas tij, fakti që finalja e mundshme luhet në shtëpi i jep Dardanëve një ndjenjë shtesë besimi dhe motivimi./Periskopi/



