Votat për Dimal Bashën i bënë “copë- copë” PDK, AAK e LDK

Votat për Dimal Bashën i bënë “copë- copë” PDK, AAK e LDK

Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, shkaktoi ‘tërmet’ në raportet e tri partive ish opozitare, Partisë Demokratike e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Vota pro zgjedhjes së Bashës nga PDK e AAK, acaroi LDK-në duke u distancuar nga vendimi i tyre, anipse jo të gjithë deputetët e këtyre partive mbështetën Dimalin e VV-së, raporton Periskopi.

Ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili pas përfundimit të seancës, u shpreh se ‘‘Votat e PDK-së dhe AAK-së për Bashën janë gabim trashanik”.

“Sot është shumë e qartë dhe dallimi që kemi me ta, sa i përket respektimi të Kushtetutës dhe përmbajtjes së njerëzve që besojmë se duhet të ju prijnë institucioneve të Kosovës. Ky dallim kristal i qartë, sot u kurorëzua me triumf të injorancës, zërit përqarës dhe ndarës dhe jodinjitetshëm për këtë institucion të Kuvendit por shpresoj që votuesit e partisë së parë të ndihen të përfaqësuar. E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera, PDK dhe AAK -së që institucioneve të i japin një emër të tillë”, u shpreh Abdixhiku.

I menjëhershëm qe reagimi nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i bëri thirrje Abdixhikut t’i thërras ‘mendjes’ dhe e fajësoi për bllokim të institucioneve.

“Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir”, ka shkruar Haradinaj.

“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë.

Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende”, ka shkruar ai në Facebook.

Derisa,kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i dërgoi ‘selam’ Abdixhikut përmes një studio televizive.

“Ndonjëherë duhet me kërku dritën. Secila parti duhet me dhënë kontribut. Kanë vendos as andej as këndej se skanë votu asgjë. E kanë pas njëfarë lloj refuzimi. Më e rëndë që kanë refuzu ta bëjnë qeverinë me partitë ish-opozitare. Ka qenë gabim që sjemi marrë vesh PDK, LDK, AAK”, u shpreh Krasniqi në Rubikon.

Krasniqi po ashtu shtoi se kjo parti votoi për të zgjedhur Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit që të dëshmojë se nuk kontribuon në bllokadën institucionale.

“Ma shumë se sa për Dimal Bashën apo për individin, ne votuam për të mbajtur premtimin dhe fjalën që u kishim dhënë qytetarëve të Kosovës që Partia Demokratike nuk është kontribuuese në bllokadë, por që brenda kritereve dhe parametrave që ne i kishim vendosur si parti, do të zhbllokojmë situatën dhe do të dalim nga ngërçi politik”, ka thënë Krasniqi në Rubikon./Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: