Vrasja e liderit të kartelit të fuqishëm të drogës ‘El Mencho’, Meksika në kaos, të shtëna me armë në aeroport, anulohen fluturimet
Skena kaotike janë regjistruar në disa zona të Meksikës pas raportimeve për vrasjen e një prej kriminelëve më të kërkuar në botë, Nemesio Oseguera Rubén Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Sipas raportimeve dhe burimeve qeveritare, ai u vra gjatë një operacioni të forcave të armatosura në shtetin e Jalisco.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit, në disa zona, kryesisht në Jalisco dhe Guanajuato u regjistruan incidente të dhunshme, përfshirë djegie automjetesh, bllokime rrugësh dhe përleshje me forcat e sigurisë. Kamionë dhe autobusë të djegur u përdorën për të penguar qarkullimin në rrugët kryesore.
Situata u tensionua edhe në Guadalajara International Airport, ku raportimet për të shtëna pranë objektit shkaktuan panik, evakuim të terminaleve dhe pezullim të përkohshëm të operacioneve. Skena të ngjashme u raportuan edhe në aeroportin e Puerto Vallarta, ku pasagjerët u larguan nga sallat e pritjes nga frika e përshkallëzimit të dhunës, raporton TCh, transmeton Periskopi.
CJNG konsiderohet si një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në nivel ndërkombëtar, me aktivitet të gjerë në trafikimin e kokainës, dhe drogave të tjera drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
“El Mencho” ishte në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet amerikane, të cilat kishin ofruar një shpërblim prej mbi 15 milionë dollarësh për kapjen e tij. Nën drejtimin e tij, karteli u shndërrua në një nga organizatat kriminale me rritjen më të shpejtë në Meksikë, duke u përfshirë në konflikte të përgjakshme me grupe rivale dhe forcat shtetërore.
Autoritetet meksikane kanë rritur masat e sigurisë në zona strategjike, ndërsa vendi mbetet në gatishmëri të lartë për të parandaluar destabilizim të mëtejshëm./Periskopi/
🚨 BREAKING: Attacks breakout throughout Puerto Vallarta, Jalisco after the Mexican military killed Nemesio Oseguera Cervantes, aka “El Mencho,” the leader of the Cartel Jalisco Nueva Generacion (CJNG) pic.twitter.com/qpSqdrCOU3
— Ian Miles Cheong (@ianmiles) February 22, 2026



