Vrasja në klubin e natës në Pejë – mbrojtja kërkon që të shpallet provë e papranueshme arma e gjetur nën jastëkun e të akuzuarit

Vrasja në klubin e natës në Pejë – mbrojtja kërkon që të shpallet provë e papranueshme arma e gjetur nën jastëkun e të akuzuarit

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, ka kërkuar nga gjykata që ta shpallë provë të papranueshme armën që ishte gjetur nën jastëkun e Elshanit.

I akuzuari Elshani po ngarkohet për vrasjen e B.Sh, në janar të 2010-ës, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Propozimin për shpalljen e armës në fjalë si provë të papranueshme, avokatja Kelmendi e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pasi që e njëjta bëri përmbledhje të shkeljeve procedurale që pretendon se janë bërë në rastin kur është kryer bastisja në shtëpinë e Tahir Hysenit dhe është sekuestruar arma e zjarrit, ajo ia prezentoi trupit gjykues edhe disa vendime të gjykatave se si i kishin shpallur prova të papranueshme kur kishin vendosur në raste të ngjashme.

“Prandaj, konkretisht kërkoj që arma e sekuestruar në mënyrë të kundërligjshme gjatë kontrollit të kundërligjshem në shtëpinë e Tahir Hysenit, e që sipas akakuzës është arma “Six hour”, mbrojtja pretendon dhe fuqimisht dhe sinqerisht beson që nuk është arma që është gjetur nën jastëk, të shpallet provë e papranueshme”, tha ajo.

Propozimin e avokates e ka kundërshtuar prokurori special Afrim Shefkiu.

“Hetuesit policor kanë konfirmuar se natën kritike kanë shkuar në kërkim të personit të dyshuar, në rastin e kërkimit të Shkodran Hysenit dhe kanë hasur në tani të akuzuarin Granit Elshani, me ç’rast edhe në shtratin e tij, nën jastëk është gjetë revolja e tij që është objekt i kësaj aktakuze”, tha prokurorja.

Sipas saj, i njëjti ka nënshkruar edhe dokumentin mbi sekuestrimin e armës së zjarrit me të dhënat e kësaj revole që është objekt.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari tha se do të vendoset në seancën e radhës, pasi që i duhet kohë për t’ia bërë një analizë, pasi që duhet të shqyrtohen të gjitha shkresat e lëndës.

Ndryshe, në fillim të seancës është dëgjuar edhe njëherë eksperti i balistikës, Ilir Kukaj, i cili tha se përmes metodave krahasuese kanë konstatuar se gëzhoja e fotografuar në provën 7 është e kalibrit 9x19mm.

Seancat e radhës janë caktuar që të mbahen më 3 dhe 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Shpërndaje në: