Vuçiq për zgjedhjet në Serbi: Do të mbahen edhe në gjithë Kosovën

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh i bindur se në zgjedhjet e prillit që organizohen në Serbi, do të votohet edhe në Kosovë.

Sipas tij, serbët në Kosovë do të votojnë nëpër qendrat e votimit në veri por edhe në gjithë territorin e Kosovës, shkruan TV Pink.

Tutje, ai thotë se shpreson që “dikush të jetë i zgjuar që të mos ndërhyjë për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë”.

Ndërkaq, sa i përket bisedimeve në Dialogun Kosovë – Serbi, ai thotë se pala kosovare “duan të flasin me vetveten, janë të interesuar vetëm për njohjen nga Serbia”.

Ndryshe, kjo deklaratë e tij erdhi pasi që të dielën në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.

Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.

Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.

Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.

Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident.