Vuçiq u ankua se SHBA s’po flet për “arrestimet e serbëve” në Kosovë – kjo është përgjigjja që i dha O’Brien

Vuçiq u ankua se SHBA s’po flet për “arrestimet e serbëve” në Kosovë – kjo është përgjigjja që i dha O’Brien

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje është shprehur i çuditur pse pati reagime për bllokimin e qytetarëve të Kosovës e ndalimin e disa policëve nëpër pikat kufitare të Serbisë, një ditë pasi Kosova kaloi suksesshëm edhe një fazë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ai u ankua se SHBA s’po flet për “arrestimet e serbëve” në Kosovë, ndërsa për ato që ndodhën në Serbi, sipas tij, nuk mbeti askush pa reaguar.

“Nuk ka njeri që nuk ka reaguar, njoftimi i Departamentit të Shtetit, gjermanëve, EULEX-it, të gjithë të mundshmit.. për dhjetë muaj e treqind ditë janë bllokuar të gjitha mallrat që duhet të shkojnë nga Serbia në Kosovë. Asnjëri prej jush nuk ka dhënë deklaratë”, tha Vuçiq, duke përhapur propagandë për “rrahjen” e një qytetari serb në paraburgim.

Sot kësaj deklarate i dha përgjigje ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, në një konferencë për media pas takimit me Vuçiqin.

Ai tha se të gjithë i bëjnë zgjedhjet e veta nëse duhet të reagohet publikisht apo privatisht.

“Dy gjëra më vijnë ndërmend lidhur me arrestimet në të dyja anët e kufirit. Të gjithë bëjmë zgjedhjen se çfarë bëjmë publikisht dhe çfarë bëjmë privatisht, ky është thelbi i diplomacisë dhe politikës ku presidenti është i zoti në biseda të tilla. Zgjedhja që bëmë fundjavën e kaluar në lidhje me arrestimin, ishte të bisedonim privatisht, folëm hapur për atë temë dhe ishte e dobishme. Presidenti ngriti një shqetësim tjetër, ne do të mendojmë për të, do të punojmë për gjithçka që përmendi presidenti. Detyra jonë është të përmbushim premtimin tonë, që është të shohim që njerëzit të trajtohen mirë gjatë kohës që janë në paraburgim dhe ne do të sigurohemi që të jetë kështu”.

Shpërndaje në: