WhatsApp teston funksionin e ri me AI për verifikimin e lajmeve të rreme
Meta është duke testuar një veçori të re në aplikacionin e mesazheve WhatsApp, e cila do t’i ndihmojë përdoruesit të verifikojnë përmbajtjen e lajmeve në kohë reale, pa pasur nevojë të largohen nga aplikacioni.
Veçoria e re quhet “Ask Meta AI” dhe u zbulua nga faqja e specializuar WaBetaInfo. Ajo u mundëson përdoruesve të zgjedhin këtë opsion nga menyja e WhatsApp-it dhe ta dërgojnë përmbajtjen e dyshuar direkt te chatbot-i i Metës, ku mund të bëjnë pyetje për saktësinë e informacionit.
Aktualisht, kjo veçori është në fazën e testimit dhe është e disponueshme për një numër të kufizuar përdoruesish. Meta ka paralajmëruar se veçoria do të shpërndahet në mënyrë graduale për të gjithë përdoruesit.
Qëllimi kryesor i kompanisë është të luftojë dezinformimin që qarkullon me shpejtësi përmes bisedave në platformë, veçanërisht në periudha të ndjeshme si zgjedhjet apo krizat globale.
Sistemi bazohet në Inteligjencën Artificiale, pa ndërhyrje njerëzore direkte, çka ka ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin dhe saktësinë e verifikimit të informacionit.
Meta nuk ka dhënë ende një datë zyrtare se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për të gjithë përdoruesit globalisht./Periskopi/



