William për diagnozën e Catherines: Ishte si të goditeshe nga një autobus
Princi William ka kaluar një periudhë shumë të vështirë pasi sëmundja e bashkëshortes së tij, Catherine, u zbulua pas një operacioni abdominal në vitin 2024. Sipas një libri të ri për çiftin mbretëror, ai është tronditur thellë nga diagnoza dhe e ka përjetuar me shumë emocione.
Një mik i familjes ka treguar në librin e autorit Russell Myers se reagimi i Williamit ishte shumë i fortë: “Ishte si të goditeshe nga një autobus, e papritur, brutale dhe krejtësisht çorientuese. Një moment jeta ishte normale, dhe në tjetrin gjithçka ndryshoi… Ishte dhimbje zemre, frikë dhe pafuqishmëri njëherësh.” Sipas tij, William ka qëndruar pranë Catherines në çdo hap dhe përkushtimi i tij ka qenë i palëkundur.
Megjithatë, shqetësimi më i madh i çiftit ka qenë mirëqenia e tre fëmijëve të tyre – Prince George, Princess Charlotte dhe Prince Louis. Ata u kanë shpjeguar me qetësi fëmijëve situatën dhe u kanë thënë se gjithçka tjetër do të vazhdojë normalisht, ndërsa Catherine do të ketë nevojë për pushim pas kthimit në shtëpi.
Gjatë kohës në spital, Catherine ka qëndruar në kontakt me fëmijët përmes thirrjeve me video. Ndërkohë, William ka marrë përsipër më shumë përgjegjësi në shtëpi, si dërgimin e fëmijëve në shkollë dhe organizimin e aktiviteteve për ta, me ndihmën e familjes së Catherines.
Sipas miqve, Catherine është shumë mirënjohëse për mbështetjen e Williamit, i cili ka qëndruar i fortë për familjen edhe në një nga periudhat më të vështira të jetës së tyre./Periskopi/



