Xhavit Haliti jep arsyet se pse PDK-ja duhet të futet në Qeveri

Xhavit Haliti jep arsyet se pse PDK-ja duhet të futet në Qeveri

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka renditur arsyet pse PDK duhet të përfshihet në Qeveri.

Në një shkrim të tij në Facebook, Haliti thotë se pandemia COVID-19, dialogu me Serbinë, ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe Gjykata Speciale, janë disa nga arsyet pse duhet të përfshihet para që siç thotë ai: Kosova është në një udhëkryq të madh.

Tutje, Haliti thotë se ky është mendim i tij personal, si zyrtar i PDK-së dhe se sipas tij, në këtë parti nuk penalizohet askush që mban qëndrime të tij politike.

Shkrimi i plotë:

Mendimi i lirë i individit është pjesë e rëndësishme e demokracisë. Në PDK askush s’e penalizon askënd për mendimin e shfaqur publikisht.Si çdokund tjetër ku kërkohet dhe më jepet rasti të flas për probleme të caktuara të sferës politike, mendimi im është i hapur edhe në organet e PDK-së.

Demokracia nuk është anarki, por është diktaturë e ligjit, rregullave, statutit, e Kushtetutës. PDK, pas debatit në organet e saja, të gjitha vendimet i merrë me konsensus ose me shumicën e votave, të cilat çdo herë i kam respektuar dhe do t’i respektoj edhe në të ardhmen.

Pyetja që shtrohet shpesh këto ditë, për sa i përket koalicionit qeverisës: të hyjë PDK-ja ose jo? Edhe në këtë rast unë e kam mendimin tim. Kosova është në udhëkryq të madh për shumë arsye.Po i numëroj disa, pa e bërë kategorizim sa i përket rëndësisë së tyre:

– Pandemia COVID-19;

– Dialogu me Serbinë;

– Ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës;

– Tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës;

– Gjykata Speciale.Shto këtu edhe ekonominë e dobët; arsimimin që lë për të dëshiruar; shëndetësinë; papunësinë; korrupsionin; nepotizmin; organet e sigurisë; integrimin në institucionet ndërkombëtare; aleancat strategjike me SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe etj., politika e jashtme… që të mos i numëroj të gjitha me radhë.Të gjitha këto çështje kërkojnë politikbërje të përgjegjshme shtetërore dhe jo individë apo koalicion të brishtë si ky që e kemi.Për t’u përballur me të gjitha këto probleme duhet të kemi një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë e të përgjegjshëm.

Duke besuar në fuqinë e PDK-së, te ekspertët dhe te politikanët e saj, mendoj se duhet bashkuar (sipas një marrëveshjeje) së pari me LDK-në, e edhe me partitë tjera për të qeverisur me vendin, për t’u përballur me çështjet që duhet t’i zgjedhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve. XHH

 

Shpërndaje në: