Zajednica si OJQ apo Këshill Nacional Serb: Çfarë drafti do ta ofrojë Qeveria e Kosovës në takimin e radhës në Bruksel?

Zajednica si OJQ apo Këshill Nacional Serb: Çfarë drafti do ta ofrojë Qeveria e Kosovës në takimin e radhës në Bruksel?

Zgjidhja përmes një ‘Asociacioni gjeografik’ me strukturë organizative si një OJQ pritet të jetë ‘oferta nismëtare’ që do t’i dorëzohet ndërmjetësuesve të BE-së në Bruksel nga pala kosovare. Pas kësaj, do të fillojë procesi i ‘pazarit dhe negocimit’ për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pohohet në Bruksel.

Shkruan: Periskopi

Qeveria e Kosovës nuk mund të shkojë më ‘me duar në xhepa’ në takimet e Brukselit, në procesin e Dialogut.

Burime të afërta me Miroslav Lajcak, ndërmjetësuesi kryesor në proces, pohojnë se përfaqësuesit kosovarë duhet të heqin dorë nga praktika e ‘shkuarjes në Bruksel vetëm për ta deklaruar mospajtimin’ dhe refuzimin me kërkesat e palës serbe.

Tash e tutje, sipas këtyre burimeve, kosovarëve do t’iu kërkohet ‘qasje proaktive’ dhe ‘jo vetëm reaktive’. Shkurt, kryeministri Kurti apo vartësi i tij, Besnik Bislimi duhet të – në takimet e ardhshme – dorëzojnë çfarëdo opsioni për zgjidhjen e çështjes së Veriut të Kosovës – e jo vetëm ta refuzojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së vitit 2015.

Burime nga Brukseli shpjegojnë se gjatë takimit të fundit, pala serbe ka kërkuar prerazi që të pranohet Marrëveshja e vitit 2015 dhe që refuzimi i saj do të nënkuptonte edhe ndërprerje të Dialogut.

‘Kosovarët duhet ta ofrojnë opsionin e vet në formë të shkruar’, thuhet në Bruksel. ‘Qoftë edhe nëse kjo e parasheh mandatin e Asociacionit si një OJQ apo Këshill Nacional. Le të jetë edhe opcioni më i përshtatshëm për ta – vetëm le të jetë i shkruar dhe që mund të shërbejë pikënisje për një proces të negociatave’, pohojnë burime diplomatike në Bruksel.

Përndryshe, dy takimet e fundit mes palës serbe dhe kosovare konsiderohen të kishin qenë ‘tërësisht papërmbajtësore’ dhe e kanë sjellë Dialogun në qorrsokak.

‘Kosovarët po fshehen prapa arsyetimit për rishqyrtim të marrëveshjeve të deritashme, ndërkohë që pala serbe prapa kërkesës për ta implementuar Asociacionin nga Marrëveshja e 2015. Këso qëndrimesh nuk çojnë askund’, thonë në Bruksel.

‘Vetëm pasi të kemi diçka të shkruar, mund të niset një proces serioz i negocimit dhe diskutimeve.’

Sipas këtyre burimeve, ‘kosovarët janë pajtuar të hartojnë qëndrimin e vet të cilin do ta dorëzojnë në takimin e ardhshëm.’

Periskopi ka kontaktuar me Zyrën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi, e cila i hodhi poshtë pohimet e burimeve tona, në Bruksel, duke i cilësuar ‘të pavërteta që përkojnë me kualitetin e portalit tuaj’./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: