“Zëvendësministri u largua për shkak të mosbashkëpunimit”

“Zëvendësministri u largua për shkak të mosbashkëpunimit”

Erxhan Galushi, kryetari i LPRK-së, ka treguar se si erdhi deri në shkarkimin e Sejnur Veshall nga pozita e zv.ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit.

Galushi ka thënë se largimi nga detyra e Veshallit ka qenë për shkak të neglizhimit total të bashkëpunimit me kryesinë e partisë.

“Vendimmarrja e subjektit politik LPRK, për largimin nga detyra e zëvendësministrit të MKRS-së, z.Sejnur Veshall, ka qenë pikërisht për shkak të neglizhimit total për bashkëpunim me vetë kryesinë e partisë si dhe kryetarin e saj. Në fakt, për një çështje të këtillë, u pata dorëhequr edhe vetë nga pozita e zëvendësministrit, në kohën kur kam përfaqësuar subjektin tjetët politik nga radhët e komunitetit rom. Pra, nuk kishte bashkëpunim. Prandaj, një gjë të këtillë, nuk kam mundur ta toleroja në partinë ku vetë jam kryetar i saj, edhe pse pas shumë vërejtjeve që i kam bërë në drejtim të ish zëvendësministrit, z.Sejnur Veshall, por fatkeqësisht të gjitha rezultuan me neglizhim të plotë nga vetë ai, pothuajse pas çdo diskutimi që e kemi pasur tash e disa muaj!”, ka shkruar Galushi në Facebook.

Galushi potencon se çfarëdo që është thënë për largimin e tij në drejtim të subjektit është dezinformat.

“Me marrjen e këtij vendimi, kryesia e subjektit politik LPRK, dhe unë si kryetar i saj, kurr dhe asnjëherë nuk kemi thënë qe ta largojmë nga partia në përgjithësi.  Çfarëdo vendimi i tij është i mirësardhur për subjektin tonë politik, LPRK.  Çfarëdo e thënë tjetër për largimin e tij në drejtim të subjektit politik LPRK, dhe meje si kryetar të saj, e them me përgjegjësi të plotë që ështe një dezinformat e madhe.  Për informimin tuaj, kushdo që do ta zëvëndësoj ish zv.ministrin e MKRS-së, z. Veshall, ju garantoj që do të jetë personi i cili po ashtu ka kontribuar më shumë se njëzet vite në promovimin e kulturës rome dhe jo vetëm”, shtoi Galushi.

Ndryshe, Sejnur Veshall është liruar nga pozita zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përmes Facebook-ut, Veshall shkoi se ai është liruar nga pozita nga Kryeministri i vendit, Albin Kurit.

“U lirova nga posti i zëvendësministrit! Me kërkesën e partisë e cila më ka propozuar, Kryeministri Kurti më ka liruar nga pozita e zëvendësministrit. Unë kam punuar, asgjë më teper. Unë u faktorizova si rom në qeveri, asgjë tepër dhe sot po lirona vetëm për cështje personale. Kam punuar me mund e përkushtim, vetëm ti proklamoj afinitetet e pjestarëve të komunitetit, dhe e bëra”, ka thënë Veshall. /Periskopi/

Shpërndaje në: