Netanyahu pas takimit me Trump: Izraeli ka ende punë në Gazë

Netanyahu pas takimit me Trump: Izraeli ka ende punë në Gazë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës nuk kanë përfunduar ende. Kjo deklaratë u bë të martën në Uashington, pas takimit të tij me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Netanyahu ka ritheksuar angazhimin e tij për lirimin e pengjeve izraelite dhe për shkatërrimin e plotë të kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

“Gaza duhet të ketë një të ardhme të ndryshme, për hir tonin, për hir të të gjithëve”, ka thënë ai, duke nënvizuar se fushata ushtarake do të vazhdojë.

Kjo ishte vizita e tretë e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij viti, dhe fokusi kryesor i diskutimeve ishte lufta e Izraelit kundër Hamasit, si dhe roli që mund të luajë SHBA-ja për të çuar drejt një zgjidhjeje të konfliktit.

Në deklarimet për media, të dy liderët janë shprehur optimistë për rezultatet e bashkëpunimit të tyre, veçanërisht për qëndrimet e përbashkëta ndaj Iranit, që sipas tyre mund të hapin një kapitull të ri në Lindjen e Mesme.

“Koordinimi midis një presidenti amerikan dhe një kryeministri izraelit ka qenë i pakrahasueshëm”, ka shtuar Netanyahu, duke vlerësuar përkrahjen e Trumpit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit izraelit, Netanyahu dhe Trump pritet të takohen sërish brenda së njëjtës ditë për të vazhduar diskutimet./Periskopi/

Shpërndaje në: