Zv/kryeministrja Rexhepi e rehaton vajzën në Televizionin Publik

Zv/kryeministrja Rexhepi e rehaton vajzën në Televizionin Publik

Tingëllon mbase ‘’klishe’’ por padyshim që duhet vënë theksi te motoja e Lëvizjes Vetëvendosje me të cilën kanë ardhur në pushtet. Nuk do ketë punësime të familjarëve, madje zëshëm e bindshëm dikur e kishte thënë edhe kryetari i kësaj Lëvizje, tanimë kryeministër i vendit, Albin Kurti.

Por si duket kjo mbeti vetëm premtim elektoral.

Prej kur LVV është në pushtet, ka pasur dhjetëra e më shumë raportime për të punësuarit e familjarëve të tyre, gjë që ata mohonin kategorikisht.

E kur bëhet fjalë për një institucion publik, Qeveria Kurti nuk e “çkapi” atë siç premtoi, por bëri një kapje të lehtë e “alla-familjare’’.

Në RTK para pak kohësh u ndërrua bordi, duke u zëvendësuar me një bord të ri ndërsa u larguan mbi 300 punëtorë nga puna, të cilët ishin aty me kontrata mbi-vepër njësoj si Sabina Redzepi.

Pati reagime të shumta nga ish drejtori i RTK’së, dhe udhëheqësit e tjerë të bordit të kaluar, që këtë e cilësuan si shkelje totale e sjellje autoritare.

Pak ditë para se të hapej konkursi për redaksinë në gjuhën boshnjake në RTK, u pa një vizitë ‘’e befasishme’’ nga zv/kryeministrja e parë Emilia Redzepi që i takon këtij komuniteti.

Vizita e saj u bë me makina zyrtare, derisa në fotot e siguruara nga Gazeta Metro, shihet zv/kryeministrja në një vizitë që as nuk e bëri publike, e as nuk e dinte askush se për çka u bë.

(Makina zyrtare e zv/kryeministres në oborrin e RTK’së 25 mars 2022, dy ditë para konkursit)

(Zv.kryeministrja Emilia Redzepi duke dalur nga RTK)

Kjo u pa si presion ndaj këtij institucioni me një kusht të vetëm: që vajza e saj të niste punën në RTK.

Sabina Redzepi, vajza e Emilia Redzepit, u punësua në RTK si gazetare në redaksinë boshnjake, pak kohë pas vizitës së nënës në këtë institucion.

Si duket vizita e zv/kryeministres pati efekt.

“Zyrtarisht fytyra e re e emisionit “Mostovi’’, thuhet në postimin e fundit të vajzës së zv/kryeministres, Sabina Redzepi, duke konfirmuar kështu edhe përmes rrjeteve sociale se tanimë është e punësuar në RTK.

Sabina, e cila njihet edhe si “fanse” e nacionalistit serb-teniserit Novak Djokovic, tashmë ka zënë një vend në televizionin shtetëror, duke udhëhequr një nga emisionet kryesore në redaksinë boshnjake.

Rexhepi kishte postuar në Instagram foton e tenistit kontrovers serb duke e shoqëruar me një koment “the best” që do të thotë më i miri, gjithashtu duke mos mjaftuar më kaq, ajo i ka komentuar në Facebook, duke i shkruar “Bravo Nole” duke e shoqëruar komentin me një zemër.

 

-Për këtë punësim Gazeta Metro ka kontaktuar me drejtorin e bordit Besnik Boletini, i cili tha se ”nuk është kompetent në pranimin e punëtorëve, stafit të ri dhe se kjo kompentecë i takon ushtruesit të detyrës së drejtorit, tani edhe kandidatit për drejtor të RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj”.

Ai nuk është përgjigjur deri në publikimin e lajmit, derisa u pyet se a nënkupton ky punësim se me ndërrimin e pushtetit duhet të jenë të “paevitueshme’’ edhe punësimet e familjarëve.

Kujtojmë se premtimi elektoral i VV’së mbeti vetëm premtim i fushatës, tashmë janë raportuar punësime të shumta të familjarëve, qoftë në borde të ndryshme, pozita të larta por edhe në institucionet kyçe.

Shpërndaje në: