‘Shqiponjat’ që u larguan për produkte serbe nga Kuvendi, gjejnë strehë te Xhelal Sveçla

‘Shqiponjat’ që u larguan për produkte serbe nga Kuvendi, gjejnë strehë te Xhelal Sveçla

Kompanisë ‘Shqiponja’ që Kuvendi i Kosovës ia kishte prishur folenë shkaku i produkteve serbe që shërbente për deputetët në bufe, ia ka dhënë një mundësi Ministria e Punëve të Brendshme, që t’i ushqejë punëtorët e saj. Makaronat, mishi i bardhë, sallatat, kafetë e çaji, do të mund të konsumohen me çmime jashtëzakonisht të lira në Ministrinë e Xhelal Sveçlës.

“ShqiponjaBFB” Sh.P.K. është një kompani në bashkëpronësi të Beqir dhe Fatmir Nikës – bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve. Ata janë familjarë të Bedri Nikës, ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ishte arrestuar në vitin e kaluar nën dyshimin për falsifikim të parave, gjykimi për të cilin është duke ndodhur.

Tani, punëtorët në Ministrinë e Xhelal Sveçlës, në orarin e punës nuk do ta përjetojnë rritjen e çmimeve, si pjesa tjetër e popullit jashtë Ministrisë. Ata do të hanë nga shërbimet e kompanisë së zotërinjve Nika.

Kështu, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, do të hanë e pinë mjaft lirë, pasi shpejt mund të nënshkruhet kontrata mes prokurimit të Ministrisë dhe kompanisë ‘Shqiponja BFB’ –e cila është shpallur fituese për shërbim të ushqimit dhe pijeve në Ministri.

Në fundin e vitit të kaluar (2021), Kuvendi i Kosovës ia kishte shkëputur kontratën kompanisë ‘Shqiponja BFB’, me arsyetimin se po shiste edhe produkte serbe brenda ambinteve të Kuvendit.

Por ky fakt, nuk e ka penguar Zyrën e Prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ta shpallë fituese “Shqiponjën’ në koncorcium me kompaninë ‘Amazona Hotel’.

Validiteti (afati deri kur do të jetë në fuqi) i kontratës do të jetë tri vjet me një çmim prej 36 mijë euro, duke përllogaritur plus ose minus 30 %.

“Shqiponjës” iu prish foleja në Kuvend, shkaku i produkteve serbe

Në dimrin e vitit 2021, përkatësisht në muajin nëntor, Kuvendi i Kosovës ia pati ndërprerë kontratën ‘ShqiponësBFB’ për shërbime në bufenë e Parlamentit, nën arsyetimin se po shiste produkte të Serbisë.

Vendimi për ndërprerje të kontratës është nxjerrë tri ditë pas paralajmërimit nga Kabineti i Kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, për heqjen e produkteve të pretenduara serbe nga bufeja e Kuvendit.

‘Shqiponja’ hyn më çmime për tokë në Ministrinë e Sveçlës

Periskopi ka mësuar se grupi i kompanive me lidere kompaninë “ShqiponjaBFB” ka vendosur në ofertë çmime jashtëzakonisht të ulëta, madje më poshtë se ato aktuale në treg marrë parasysh inflacionin e vazhdueshëm.

Çka do të hanë dhe sa lirë do të hanë punëtorët në Ministrinë e Brendshme?

Më poshtë, disa pjesë nga menyja:

Për shembull, te produkti i kërkuar, një porcion “File pule 200 gram me garniturë (pomfrit, oriz dhe perime të fërguara)”, kompania fitues ka ofertuar me 1.5 euro (Një euro e gjysmë). 

Për produktin “Sallatë (shope, 200 gram)”, kompania ka ofertuar më çmim prej 0,40 centë.

Për “Sallatë (tuna, 200 gram)” ka vendosur ofertë prej 0.50 centë.

Dihet se aktualisht në treg, ky lloj i peshkut ka rritje enorme, dhe çmimi sillet rreth 13.70 cent. Kjo sallatë, që për bazë  e ka mishin ton prej 200 gram, në kalkulim për 100 gram i bije 1.37 euro.

Pastaj, nëse jeni punëtor në MPB dhe iu hahen të shumëkërkuarat makarona ose shpageta boloneze plus me sos kërpudhash dhe domatesh, do të paguani vetëm – mbani frymën – 1 euro.

1 euro është caktuar çmimi edhe për omletë me proshutë.

E sa për kafen kapuçino, ajo do të pihet vetëm për 0,20 centë në Ministri. Ngjashëm është çmimi edhe për qumështin me çokollatë.

11 produkte pije e 20 të ushqimit janë paraparë në këtë ofertë.

Është e ditur se bufetë në institucione publike, operojnë me çmime mjaft të lira, por shembuj të tillë – na shkojnë lëng për goje në kohën kur çmimet e produkteve ushqimore për popullin jashtë institcuoneve, kanë shkuar në qiell. /Periskopi/

Shpërndaje në: