Versioni i ministres Hajdari se pse nuk është nënshkruar kontrata me “Kosmonte Foods”

Periskopi.com Lajme

Kosova që nga 2017-ta ka Ligj për Investime Strategjike, me qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Kosovë. Deri më tani, veç një investitor, “Kosmonte Foods” është shpallur strategjik nga Kuvendi i Kosovës. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dhënë arsyeje e veta se pse akoma nuk e ka vënë nënshkrimin që ky investitorë të marrë statutin e plotë të investitorit, raporton Periskopi.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari ka pasur polemika me deputetin e PDK-së, Ferat Shala, teksa po raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me investimet strategjike në vend.

Deputeti Shala, i cili është edhe kryesues i këtij komisioni e ka pyetur ministren Hajdari rreth miratimit të propozimit të qeverisë për t’ia dhënë statusin e “Investitorit Strategjik” kompanisë “Kosmonte Foods”, Sh.P.K.

Kompanisë iu dhanë 25 hektarë tokë, pronë e shtetit, në emër të investimeve që do të bëjë kompania. Ai iu drejtua Hajdarit duke e pyetur se “pse është kjo vonesë, pas kaq shumë kërkesave?”.

Madje, ligjvënësi opozitar i tha se “ju nuk keni nënshkruar patentën e fundit, por po kërkoni dokumentacione shtesë?”.

Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka dhënë arsyejet e veta se pse nuk është nënshkruar kontrata që kompanisë “Kosmonte food” t’i jepet statusi i investitorit strategjik edhe pse Qeveria ia kishte dhënë këtë leje.

“Si mund ta shtyjë një projekt që nuk është në harmoni me planin zhvillimor. Si mund ta shtyjë aq lehtë në çështje ditësh nëse kriteret nuk janë zbatu.  Do të kaloj. Kosmonte është në rregull. Në këtë rast, unë kam kërkuar që kompania të konfirmojë zotimet që i ka, i ka konfirmuar është në vlerësim të pronës që do të shpronësohet. Nuk është vonesë, por një proces. Unë e kam një ekip që punon për këto projekte. Komisioni e ka kryer punën, duhet të ndodhë shpronësimi, nuk është në dorën time. Pse ka mbetur që disa vite në aplikim? Nëse e shikon aplikimin, është më shumë se pesë vite. Nuk është i mbyllur. S’iu kemi mashtruar. Përgjigja është që projekti ka konfirmuar zotimet dhe është në proces të nënshkrimit dhe marrëveshjes, është vlerësimi i pronës nga MF-ja jo nga MINT-i”, theksoi Hajdari.

Periskopi ka raportuar lidhur më këtë temë para pakë ditëve, por MINT, nuk kishte dhënë përgjigje se pse nuk po venë nënshkrimin përfundimtarë për “Kosmonte Foods”.

Raportimi i plotë:

Në mes  kritikave e përplasjeve të shumta  pushtet-opozitë, Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt e me 67 vota kishte miratuar rekomandimin e Qeverisë për dhënien e statusit investitor strategjik kompanisë “Kosmonte Foods”.

Siç ka mësuar Periskopi, kompania nuk është pajisur me pasaportën përfundimtare të Investitorit Strategjik. Kjo ngase, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari po heziton të vendosë nënshkrimin në marrëveshjen përfundimtare.

“Sipas dokumentacionit të paraqitur kompania do të investojë pak mbi 11 milionë  euro dhe do të hapen 300 vende të reja pune në kuadër të dy projekteve të cilat janë: 1: Hapja e fabrikës së përpunimit të pemëve dhe perimeve që përfshin zgjerimin e kapaciteteve për ruajtjen dhe prodhimin e produkteve me sipërfaqe prej 16 mijë e 200 m2. Projekti 2: Kompleksi si fabrikë Perutnina Ptuj për përpunimin e mishit të shpezëve me sipërfaqe rreth 12 mijë m2. Pra, Kosmonte Foods ka aplikuar si konzercium kosovar-slloven, duke e paraqitur edhe kompaninë sllovene Perutnina Ptuj. Tash, ministrja po heziton të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare, ngase në letra, kompania kosovare nuk e ka askund kompaninë sllovene. Po ashtu, kjo është edhe një situatë e re për ministren. Nuk po di mirë si të sillet, sepse nuk ka pasur rast të mëhershëm të ndonjë marrëveshje të tillë për Investitor Strategjik. Kjo ka qenë e para. Procesi ka mbetur pezull që mbi katër muaj”, ka bërë të ditur për Periskopin një burim brenda Qeverisë së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Periskopi ka dërguar pyetje edhe në MINT që disa ditë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri më tani. Nuk janë përgjigjur madje as nga kompania “Kosmonte Foods”.

I gjithë procesi i dyshimtë

Ligji për Investime Strategjike ka hyrë në fuqi më datë 03 shkurt 2017 dhe afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuar për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit investim strategjik në zbatim të këtij ligji ka qenë data 31 dhjetor 2020. Pra, kjo nënkupton se që një vit e gjysmë, Ministria nuk ka pranuar asnjë aplikim për Investitor Strategjik, ngase Ligjit i ka skaduar validiteti. Kanë qenë rreth 50 kompani që kanë aplikuar në MINT.

Kompania “Kosmonte Foods”, në shkurt të vitit 2019 ishte aplikuar në MINT. Më pas Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë -KIESA në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka bërë vlerësimin teknik të dokumentacionit të projektit të investimit strategjik.

Pasi ka konstatuar se është paraqitur dosja e plotë e projektit dhe pas kontrollit teknik të aplikacionit, Agjencia i ka kërkuar Komisionit Ndërministror që të themelojë Grupin Operacional, ku më pas ky i fundit,  ka nxjerrë vendim për themelimin e Grupit operacional për përgatitjen, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projektit për investime strategjike.

Pra, Grupi operacional  është përgjegjës për të mbështetur profesionalisht Agjencinë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitje dhe realizimin e projektit investues strategjik.

Agjencia dhe Grupi operacional brenda njëzetë ditë punë nga data e emërimit nga komisioni Ndërministror, ka verifikuar dokumentacionin e parashtruar dhe ka kryer vlerësimin teknik, financiar, ligjor të dosjes së plotë të projektit.

Periskopi posedon edhe dokumentin kryesore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht dokumentin e Grupit Operacional i cili pas shqyrtimit të dokumentacionit i ka propozuar Komisionit Ndërministror vendimin për dhënien e statusit investim strategjik.

Grupi Operacional që ka shqyrtuar dokumentacionin e kompanisë ka qenë në përbërje prej 8 personave, dhe katër nga ta e kanë rekomanduar që kompania i plotëson kushtet që të shkojë në Qeveri për miratimi, dhe katër nga ta kanë konstatuar që nuk i plotëson kushtet. Pra, në situatën katër më katër, dokumenti nuk është dashur të shkojë në qeveri. Ky dokument që është hartuar më 13.08.2020 ka shkuar në Qeveri në vitin 2021, pak muaj pasi Rozeta Hajdari kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Tregtisë.

Pra, siç shihet nga dokumenti që e posedon Periskopi, nënshkrimin në Rekomandim nuk e kanë vënë akterët kryesor si: Nida Krasniqi nga Ministria e Financave, Shqipe Qerkini Grainca nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore, Furkan Erguler nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (I njëjti aktualisht është shef i kabinetit të ministritë të MZHR), dhe Muharrem Kurtaj nga Ministria e Drejtësisë (Zyra e avokatit shtresor).

“Bazuar në vendimin 01. Ref.Nr.11, Prishtinë, 16. 07.2020, të Komisionit Ndër-Ministror për Investime Strategjike për Formimin e Grupit Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të aplikuesit- subjektit investues “Kosmonte Foods” SHPK, në bazë të Ligjit Nr.15/2018 për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të investitorit strategjik, Grupi Operacional pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të publikuesit- subjektit investues “Kosmonte Foods” mbi aplikimin për marrjen e statusit investitor strategjik në Republikën e Kosovës, Komisionit Ndër Ministror i Rekomandon, dhënien e statusit investim strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, thuhet në dokument.

Edhe pse në një vlerësim katër më katër,  zonja Hajdari kur ka marrë drejtimin e Qeverisë e ka gjetur këtë rekomandim mbi tavolinë dhe e ka dërguar për aprovim në Qeveri. Më pas Qeveria Kurti ka marr vendim për aprovimin e projektit të statusit të investimit strategjik.

Para nënshkrimit të marrëveshjes me komisionin Ndërministror, investitori i ka dorëzuar atij garancionin bankar në vlerë prej 10% të vlerës së paraparë të investimit. Më pas çështja ka shkuar për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe votimi për të ka dështuar disa herë, pasi opozita ka konsideruar se operatori nuk ka qenë i kompletuar me letra konform Ligjit. Pas shumë përplasjeve në shkurt të këtij viti, Kuvendi ka vendosur Pro.

Investitori kërkoi 9 hektarë, Kuvendi ia jep 25

Emri i projektit decitivisht quhet “Investime Strategjike në asete fizike për grumbullimin, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore si dhe përpunimin e mishit”. Vendi ku do të zhvillohet projekti është në Komunën  Fushë Kosovë, në zonën kadastrale -Harilaq.

Në dokumentin e Grupit Operacional që e posedon Periskopi, thuhet që “Pronarët e parcelave të cilat efektohen nga realizmi i këtij projekti strategjik, i cili përfshinë sipërfaqe totale 9. 8 ka ( P-72514003-00022-3 sipërfaqja 42654 m2, P-72514003-00025-0 sipërfaqja 35622 m2, P -72514003-00022-5 sipërfaqja 10052 m2 dhe P-72514003-00022-21 me sipërfaqe 11472 m2), pronë e Agjencisë së Pyetjeve të Kosovës. Subjekti ‘Kosmonte Foods’ ka shfrytëzuar me qira nga viti 2020 deri në vitin 2020 parcelën P- 72514003-00022-3 me sipërfaqe 43538 m2, ku edhe ka të ndërtuara objektet të cilat i shfrytëzon si Depo Frigoriferike dhe administratë dhe këto investime veç se janë në kuadër të kompleksit investiv të subjektit aplikues “Kosomonte Foods”.

Pra, siç shihet nga ky dokument, aplikimi për realizimin e projektit është bërë për 9.8 hektarë tokë të APK-së, ndërsa siç ka mësuar Periskopi, Qeveria i ka dhuruar 25 h tokë kompanisë të shtetit të Kosovës për një periudhë 99 vjeçare.

Pra sipas këtij dokumenti, vlera e përcaktuar e kapitalit që do të investohet brenda periudhës pesë vjeçare është 11, 143, 917.20 euro.

Një herë padi, mandej zbrapsje

Një muaj pas aplikimit për Investitor Strategjik, është ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj “Kosmonte Foods” nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural/Agjencia Pyjore e Kosovës, Drejtorati Koordinues Rajonal në Prishtinë.

Padia është ushtruar për mosrespektim të kushteve të kontratës, konkretisht nenit 1, i cili thotë se ndërtimet eventuale në tokën e dhënë duhet të jenë montazh, kurse kompania ka bërë ndërtim me material të fortë (beton).

“Kompania në fjalë ka bërë shkelje, duke ndërtuar objekt me material të fortë, e cila qartë është specifikuar në kontratë, për ngritjen e objektit montazh, frigorifer (me objekt dhe ambient përcjellës). Kompania në fjalë ka pranuar një njoftim nga APK-DKR me datë 8.11. 2017, më anë të së cilës Operatorit Ekonomik i është tërhequr vërejtja se është duke i shkelur kushtet e kontratës dhe për pasojat e mos respektimit të kontratës, mirëpo i njëjti edhe përkundër këtij njoftimi ka vazhduar me ndërtime të objekteve, me material të fortë. Bazë  e kësaj padie është edhe raporti i komisionit i datës 18.02.2019 për verifikimin e gjendjes faktike të ngastrës kadastrale nr 22/3, ZK Harilaq -P-72514003”, thuhet në padi.

Por, pas ardhjes në qeveri të Albin Kurtit, ministria e Bujqësisë, konkretisht Agjencia e Pyjeve është tërhequr nga padia. Kjo agjenci nuk e ka sqaruar asnjëherë tërheqjen e saj , ani pse kësaj padie i ka paraprirë një raport i hollësishëm i një inspektimi paraprak, të cilin e posedon Periskopi.

A mund t’i tërhiqet vendimi për dhënien e statusit Projekt Strategjik

Tashmë, siç kemi potencuar edhe më lartë, “Kosmonte Foods” ka ofertuar si konzercium kosovare-slloven, por siç ka mësuar Periskopi, Rozeta Hajdari nuk ka në tavolinë dokumentet e kompanisë sllovene.

Ligji për Investimet strategjike, të cilit ndonëse i ka skaduar validiteti, tek neni 14, ka paraparë edhe Revokimin e vendimit për dhënien e statusit Projekt Strategjik dhe shkëputjen e marrëveshjes.

“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik; Nëse kalojnë gjashtë muaj nga vendimi i Qeverisë lidhur me aprovimin e marrëveshjes për një projekt strategjik dhe me fajin e subjektit investues nuk kanë filluar punët në zbatimin e projektit; Revokimi i vendimit për dhënien e statusit projekt strategjik, nuk e liron subjektin investues nga përgjegjësia civile për dëmin e shkaktuar si pasojë e mos realizimit të investimeve strategjik:, thotë ky ligj.

Periskopi posedon dëshmitë edhe se si Agjencia e Pyejeve, kishte refuzuar kërkesën e “Kosmonte Foods” në janar të vitit 2019 për vazhdimin e kontratës së vitit 2013 për marrjen në shfrytëzim të ngastrës katastrale P- 72514003-00025-0 prej 4. 15 hektar.

Kryeministri Kurti, në vitin 2020, kishte bërë një vizitë në këtë kompani.

Kompania “Kosmonte Foods” është themeluar në vitin 2000. Ajo është e specializuar për importim dhe distribuim të produkteve, ndër to  të qumështit, mishit, perimeve, kafe, çaj dhe produkte tjera  për gastronomi. /PERISKOPI/

Ministrja Hajdari nuk di si të veprojë, frikësohet të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare me “Kosmonte Foods”