Kurti e përmendi rrezikun e një konflikti të ri, por Korriku theu rekordin në tetë vitet e fundit për importin e mallrave nga Serbia

Kurti e përmendi  rrezikun e një konflikti të ri, por Korriku theu rekordin në tetë vitet e fundit për importin e mallrave nga Serbia

Në intervistë për gazetën italiane, La Repubblica, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ekziston rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Por, Kosova vazhdon të jetë një ambient mjaft i favorshëm për Serbinë i të bërit biznes, shkruan Periskopi.

Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga Serbia, por ende vazhdon të jetë e varur nga importi i saj.

Këtë e dëshmon edhe vlera vjetore e importit.

Korriku që iku ka qenë muaji i cili në Kosovë kanë hyrë mallra më së shumti nga Serbia që nga viti 2015.

Rëndom piku i blerjes së mallrave nga Serbia e shënona muaji gusht.

Derisa shifra më e lartë e importit më Serbinë në këtë vit është shënuar në muajin mars, në një vlerë prej 27,384,602.91 euro. Kjo shumë është tejkaluar në muajin e kaluar duke kapur vlerën prej 30,167,808.54 eurove. Pra, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, kjo shifër nuk ka qenë në asnjë muaj që nga viti 2015, shkruan Periskopi.

Në vitin 2021, muaji kur Serbia kishte regjistruar shitjen më të madhe në Kosovë ka qenë tetori, në një vlerë prej 26,593,489.56 euro. Në vitin 2020, importi më i lartë ishte regjistruar në muajin dhjetorë në shumë prej 12,722,367.83 euro. Në vitin 2019, shifra më e madhe e importit ishte regjistruar vetëm në vlerë prej më pak se gjysmë milioni euro, dhe kjo ishte në muajin gusht.

Edhe në gusht e vitit 2018 është shënuar shifra më e lartë e importit në një vlerë prej 21,457,479.61 euro. Po ashtu, shifra më e larta e regjistruar në vitin 2017 e importit ka qenë në muajin gusht në një vlerë prej 23,161,312.65 euro. Edhe gushti i vitit 2016 e mbanë primatin ku janë importuar më së shumti mallra në një vlerë prej 22,963,136.49 euro. Të dhënat e Doganës, të cilat i ka parë Periskopi, tregojnë se në muajin kur është importuar më së shumti mallra nga Serbia në vitin 2015 është po ashtu gushti, ku vlera kishte arritur në 26,890,596.09 euro.

Për shtatë muaj, janar- korrik 2022, Kosova ka blerë mallra nga Serbia në vlerë prej 166, 054, 457 euro.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase.

Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s. Fqinji verior, dërgoi përgjatë vitit 2020 produkte në vlerë prej 190,980,000 euro. /Periskopi/

Shpërndaje në: