22-vjeçari në Malajzi dënohet me 10 vjet burg për fyerje ndaj Islamit dhe profetit Muhamed në Facebook

22-vjeçari në Malajzi dënohet me 10 vjet burg për fyerje ndaj Islamit dhe profetit Muhamed në Facebook

Policia e Malajzisë ka njoftuar se një burrë është dënuar me dhjetë vjet burgim nga një gjykatë e këtij shteti për shkak të fyerjeve ndaj Islamit dhe profetit Muhamed përmes llogarisë së tij në Facebook.

Personi i dënuar është identifikuar si Ayea Yea dhe është 22-vjeçar. Ai e ka pranuar fajësinë për 10 akuzat e ngritura nga një gjykatë në Kuala Lumpur.

Agjencia shtetërore e lajmeve ka njoftuar se Policia Mbretërore ka ngritur akuza edhe për tre persona tjerë që e kanë fyer Islamin dhe profetin Muhamed. Pritet që vendimi i gjykatës për ta të merret gjatë ditëve të ardhshme.

Dy përdorues tjerë të rrjeteve sociale i kanë mohuar akuzat e ngritura kundër tyre, por ata do të mbahen në paraburgim deri më 5 prill, kur të merret vendimi për ta.

Këta persona akuzohen nga autoritetet për veprën penale të paragjykimit të harmonisë mbi bazën e fesë, qëndrime nxitëse ndaj komunitetit dhe përdorim të papërshtatshëm të shërbimeve të internetit.

“Policia i ka marrë 929 raportime për shkelje të tilla në tërë vendin dhe i ka filluar hetimet për 16 raste që kanë të bëjnë me fyerjet ndaj Islamit”, tha inspektori i përgjithshëm i policisë, Mohamad Fuzi, shkruan “CNN’’.

 

Shpërndaje në: