3 rastet kur kosovarët në publik rrëfyen përvoja jashtë-tokësore, mes tyre edhe një politikan

3 rastet kur kosovarët në publik rrëfyen përvoja jashtë-tokësore, mes tyre edhe një politikan

Së fundi, një person publik me emrin Nazmi Sfishta – i njohur edhe si këngëtar i muzikës argëtuese – pretendoi se ishte “njeri hyjnor” dhe se fliste me zotin. Deklarata e tij shkaktoi bujë, por z.Sfishta nuk është i vetmi që ka rrëfyer në publik përvojën jashtë-tokësore.

Shaip Elshani, një qytetar nga Komorani që jeton në Gjermani, ka rrëfyer po ashtu përvojën e tij të komunikimit me Jezu Krishtin.

“Krejtësisht në mënyrë telepatike, dhe në mënyrë shumë shumë të shpejtë. Domethënë komunikimi ka zgjat tepër shkurt,” – rrëfen ai komunikimin që ka pasur me engjëjt, që janë krijesa jashtë-tokësore.

“Engjëjt janë si krejt njerëzit tjerë fizikë që ne i njohim, vetëm me përbërje trupore tjetër. Ata kanë përbërje frymore, domethënë, përbërje jashtë-tokësore,” – thotë z.Elshani.

Ai beson edhe se shpirti i Jezu Krishtit jeton brenda tij.

Por, mes deklarave publike për komunikime jashtë-tokësore është edhe ajo e dhënë nga një politikan. Bëhet fjalë për Hazir Borovcin e LDK-së, kryetar i Degës së III në Prishtinë.

Ai kishte komunikuar në mënyrë mjaft serioze me fantazmën e presidentit historik Ibrahim Rugova. Ndër fjalët që Borovci pretendonte se i ishin thënë nga Rugova kishin qenë ato si në vijim:

“Si janë punët?”

“Si shkojnë punët?

Kishte shprehur gëzim.

“Ta rrisni sofrën e LDK-së.”

“Në sofrën e LDK-së të ketë sa më shumë intelektualë dhe rini.”

“Mos na i prishni punët me miqtë perëndimorë.”

“Mos na i prishni punët me amerikanët.”

Kjo ishte deklarata e plotë e z.Borovci – ku mund të gjeni madje edhe disa fjalë që tentojnë ta mbajnë bisedën jashtë-tokësore me presidentin si enigmatike.

“Në mes ditës, bamë një vizitë presidentit historik Rugova. Bashkarisht me një grup veprimtarësh të degës së tretë. E informuem presidentin për 27 vjetorin, për ditëlindjen e degës së tretë, degës së presidentit. Presidenti na pyti: si janë punët, si shkojnë punët? E informuem për disa çështje – nuk do t’ju ngarkoj juve – po, i treguem se kemi ftuar n’ktë ditëlindje të degës së tretë anëtarësinë e gjerë. Kemi ftuar të gjithë ata që në cilëndo formë  – presidenti u gëzue shumë e dha porosi “Ta rrisni sofrën e LDK-së”, “Në sofrën e LDK-së të ketë sa më shumë intelektualë dhe rini” – por ndër të tjera dha edhe porosinë e tretë: “mos na i prishni punët me miqtë perëndimorë, mos na i prishni punët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Sidoqoftë, më vonë Borovci duke parë reagimin publik kishte tërhequr fjalët e tij duke pretenduar se e kishte pasur metaforikisht atë mesazh.

“Fjalimi im ka buruar nga brendia nga zemra, sepse e kam dëgjuar në shumë takime presidentin për mesazhin që e ka përçuar” – kishte thënë politikani.

Shpërndaje në: