3 vjet burgim për krimin aksidental, si e kishte vrarë djalin para 11 muajsh Skënder Krasniqi

Periskopi.com Lajme

Një vrasje e rëndë kishte ndodhur pasditen e 27 janarit të këtij viti në rrugën “Ndue Përlleshi” në kryeqytet. Skender Krasniqi, kishte vrarë djalin e tij Albertin, në garazhin e ndërtesës ku banonin

“Ejani se e vrava djalin”, kishte deklaruar Skender Krasniqi kur e kishte telefonuar policinë për ta denoncuar rastin.

Ai ishte arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërkaq policia kishte konfiskuar armën me të cilën dyshohej se Krasniqi kishte shtënë drejt djalit të tij.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës patën deklaruar për Express se rasti fillimisht ishte cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

“Lidhur me rastin ne fjale ju njoftojmë se prokurori kujdestar i Departamentit te Krimeve te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë”. Prokurori i Shtetit, ka ndaluar një të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obdukim”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Në tetor të këtij viti, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Skender Krasniqit.

Nga Prokuroria patën bërë të ditur se Krasniqi akuzohet për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Skender Krasniqi po mbahej në paraburgim nga data 27 janar, kur edhe u arrestua.

Ai sot është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.K për veprën penale Vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./