44 milionë euro fitimi i bankave vetëm deri në prill

44 milionë euro fitimi i bankave vetëm deri në prill

Ka shkuar në 44.6 milionë euro profiti neto i bankave komerciale në Kosovë, vetëm prej janarit deri në muajin prill të këtij viti.

Një muaj më herët, pra deri në muajin mars, sipas të dhënave të prezantuara në raportin mujor të sistemit financiar nga Banka Qendrore e Kosovës, fitimi që kishin paraqitur bankat në vend ishte mbi 30.7 milionë euro, kurse vetëm në muajin shkurt, të njëjtat kishin arkëtuar rreth 27 milionë euro.

Pra, për një muaj, bankat në vendin tonë kanë shtuar nëpër stoqet e tyre edhe 13.9 milionë euro tjera, përcjell Buletini Ekonomik.

Këto fitime të larta të sektorit bankar në Kosovë, po realizohen kryesisht përmes normave të larta të interesit në kredi, si dhe kohëve të fundit si pasojë e ngritjeve të çmimeve edhe për shërbime.

Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar” për muajin prill, saktësohet se vetëm të hyrat nga interesi në kredi nga këto banka për këta katër muaj, ishin në vlerë të  80.7 milionë euro, nga 59.2 milionëve sa ishin të hyrat prej kësaj kategorie deri në muajin mars.

Të hyrat totale të bankave në këtë katërmujor ishin në vlerë të 111.8 milionëve nga 82.1 milionë euro sa ishin deri në mars, derisa shpenzimet arritën 67.2 nga 51.5 milionë. Nga shpenzimet totale, vetëm 7.6 milionë euro ishin për shpenzime të interesit, kurse shpenzimet e përgjithshme administrative ishin në vlerë të 40.8 milionëve.

Ndërkohë, depozitat e qytetarëve në sektorin financiar në vend në këtë tremujor u regjistruan në një vlerë prej 4 miliardë e 766 milionë euro, prej të cilave depozita familjare ishin 3,384.7 miliardë euro, kurse të tjerat depozita të korporatave financiare dhe jofinanciare.

Aktualisht, sipas BQK-së, vlera e aseteve të sektorit bankar në vend, është gjithsej 5 miliardë e mbi 890 milionë euro.

Ndërkohë, vlera e kredive të dhëna nga bankat arriti në 3 miliardë e 989 milionë euro arriti në 3 milionë euro, prej të cilave 1,476.8 miliardë euro ishin për ekonomitë familjare, ndërsa 2,488.0 miliardë ishin për korporatat jofinanciare.

E norma efektive e interesit në kredi u pasqyrua në një përqindje prej 5.9% nga 5.8% sa ishte në muajin mars. Për kreditë e ekonomive familjare, kjo normë ishte e njëjta sikurse në muajin mars, ndërsa norma e kredive konsumuese në prill ishte 6.1% sikurse në muajin mars, nga 6.5% sa ishte në muajin shkurt të këtij viti.

Ndërkaq, norma e interesit në kredi për korporatat jo financiare në prill u rrit në 6.0% nga 5.7% sa ishte në mars. Madje për korporatat jofinanciare bujqësore, norma e interesit në prill u rrit në 10.8% nga 8.9% sa ishte një mauj më herët.

Shpërndaje në: