Boksierët kosovarë, të uritur për sukses në Evropianin e të rinjve
Boksierët kosovarë janë të uritur për të arritur sukses në Kampionatin Evropian për të rinj, i cili do të mbahet në Budva të Malit të Zi nga 12 deri më 23 nëntor, shkruan Gazeta Express.
Kosovën në Evropianin për grupmosha 17-18 vjeç në këtë eveniment do ta përfaqësojnë Luar Aliu (56kg), Çlirim Berisha (64kg) e Remzo Mustafiç (91kg), të shoqëruar nga selektori Shefki Bogujevci dhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, i cili do ta ndajë drejtësinë.

Ekipi kombëtar i Kosovës nga 3 nëntori gjendet për përgatitjet përfundimtare në Durrës, ndërsa sot do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para nisjes për në Budva.
Pra, “Dardanët” do ta marrin rrugën drejt Budvës nesër në mëngjes së bashku me Kombëtaren e Shqipërisë.
Selektori Bogujevci është i kënaqur me formën e boksierëve dhe pret paraqitje të mirë dhe medalje nga boksierët kosovar.



