Tjetër miqësore Kosovë-Shqipëri sonte në ‘Fadil Vokrri’
Një tjetër ndeshje vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Tani, gjeneratat U21, në kuadër të kualifikimeve për EURO U21, do të takohen në ‘Fadil Vokrri’, me fillim nga ora 19:00.
Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e grupit 3.
‘Dardanët’ pas tetë ndeshjeve numërojnë nëntë pikë, duke u renditur në vendin e katërt, ndërsa Shqipëria me 11 pikë, në vendin e tretë.
Sfidën e parë mes tyre vitin e kaluar e kishte fituar Shqipëria me rezultat 2:1.
Sipas një komunikate të FFK-së lëshuar ditën e enjte, atmosfera në kampin e ‘Dardanëve’ të rinj është e mirë dhe dueli ndaj Shqipërisë pritet me optimizëm.
“Kombëtarja U21 e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ para përballjes me Kombëtaren U21 të Shqipërisë, e cila zhvillohet nesër në orën 19:00 dhe transmetohet në RTK. Atmosfera në kampin e Dardanëve të rinj është shumë e mirë dhe dueli i nesërm pritet me optimizëm të madh për sukses. Përzgjedhësi Rafet Prekazi për këtë ndeshje në vend të Destan Bajselmanit, Alban Ajdinit dhe Donat Rrudhanit ka ftuar Ramiz Bytyqi, Almir Kryeziu dhe Valmir Veliu”, thuhet në njoftim.



