Thellohet skandali, ilaçi i morrave u pagua shtatëfish më shumë se çmimi real i produktit (DOKUMENT)

Thellohet skandali, ilaçi i morrave u pagua shtatëfish më shumë se çmimi real i produktit (DOKUMENT)

Operatorët ekonomikë që fituan tenderin blenë vetëm 330 litra ilaç kundër morrave, me një vlerë prej 14 mijë eurosh, ndërsa tenderi kapte shifrën afro 1 milion euro. Me këtë sasi, sipas raportit të auditorit të brendshëm që e ka siguruar Periskopi, operatorët kanë mashtruar shtetin për më shumë se shtatëfish nga çmimi real, duke dyshuar se kontrata është mbështetur në çmime spekulative, të cilat janë të ndaluara me Ligjin për Prokurimin Publik.

Nga: Blerta Agushi

Operatorët ekonomikë i kishin vënë vetes qëllim që të shpenzonin sa më pak nga tenderi që e kishin fituar për dezinsektimin e fermave të kafshëve në katër komuna të Kosovës, me vlerë afro 1 milion euro.

Preparati që është blerë supozohej të ishte kundër rriqnave, por rezulton se është për morra. Me vetëm 330 litra ilaç të blerë në Serbi, në vlerë prej 14 mijë eurosh, planifikohej të realizohej dezinsektimi-repelimi i 44 fshatrave të Malishevës, 33 të Rahovecit, 13 të Klinës dhe 6 të Suharekës, për 150 mijë krerë gjedhe, 100 mijë krerë dele dhe dhi, si dhe 75 mijë metra katrorë hapësirë fermash.

Një litër Deltanil, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, kushton 45 euro dhe mbulon trajtimin e 100 krerëve gjedhe ose 200 krerëve dele. Pra, për të trajtuar sasinë e kafshëve të planifikuara në tender, do të duheshin 2,000 litra të këtij produkti, me një kosto rreth 90 mijë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet administrative dhe një fitim të arsyeshëm.

Auditori i brendshëm ka zbuluar mashtrimin duke kërkuar Dokumentin Unik Doganor, i cili e nxori në pah se operatorët ekonomik nuk e kishin realizuar kontratën sipas nënshkrimit.

“Gjatë analizimit të aspektit financiar të kontratës kornize Ethe Hemoragjike Krime Kongo është gjetur se OE ka ofruar çmimin prej 3.75€ për kokë gjedhi dhe 2.15€ për dele dhe dhi. Për kokë gjedhi janë të nevojshme 10 ml deltanil, për dele 5 ml, dhe, 2.5 ml për qengja të cilët nuk janë pjesë e kontratës. Për dhi nuk përdoret fare ashtu edhe siç u sqarua më lartë. Gjatë hulumtimeve përveç tregut evropian me pakice, zyra e auditimit ka kërkuar edhe nga Dogana e Kosovës, Dokumentin Unik Doganor lidhur me importin e produktit Deltanil. Në raportin zyrtar të pranuar nga Dogana e Kosoves rezulton se me 30.07.2024, OE i cili njëkohësisht mban Marketing Autorizimin per produktin deltanil, ka importuar 330L nga Serbia me vlerë totale të produktit 14,619€ dhe kosto të transportit 190€. Në total kjo shumë rezulton në 14,809€. Nëse kjo shumë ndahet për litër rezulton në rreth45€. Me 1L deltanil mund të trajtohen 100 krerë gjedhe, 200 krerë dele ose 400 krerë qengja. Rrjedhimisht, bazuar në dozat e rekomanduara për trajtim për 150,000 krerë gjedhe janë të nevojshme 1,500L deltanil, për 100,000 krerë dele dhe qengja, janë të nevojshme 500 litra deltanil. Duke e pasur parasysh se për dhi nuk përdoret fare, dozat e administruara në dhi kanë shkuar dëm. Gjithsej 2,000L kanë qenë të domosdoshme për pozicionin e parë dhe të dytë. 2,000L*45€ = 90,000€. Gjithsesi është e nevojshme edhe një kosto margjinale për administrim dhe një përqindje e arsyeshme e fitimit. Sidoqoftë, në dy pozicionet e para, AUV ka nënshkruar kontrate në vlerë 777,500.00 є apo më shumë se shtatëfishtiproduktit! Dyshohet se kjo kontrate është e bazuar në çmime spekulative të cilatjanë të ndaluara me Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në raportin e auditorit të brendshëm

 

Raporti i auditorit rekomandon që të merren parasysh të gjeturat, në mënyrë që të ruhet shëndeti i njerëzve dhe i kafshëve.

“Me qëllim të përmirësimit të kontrollit të brendshëm, marrjes së masave të nevojshmepër eliminimin e lëshimeve, të metave dhe dobësive në të gjeturat e paraqitura më lartë, Menaxhmentit të AUV-së i propozojmë këto REKOMANDIME: Të analizohen mundësitë ligjore në mënyrë që projekti të realizohet në plotni dhe të jap efektet e domosdoshme për adresimin e një problemi serioz siç janë Ethet Hemoragjike – Krime Kongo, të cilat paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik. Duke qenë se tani vetëm se janë kryer pagesa mbi bazën e kësaj kontrate, AUV duhet të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet ligjore për zhdëmtim.. Të merën ne konsiderate te gjeturat ndërmerren te gjitha veprimet e nevojshmeligjore për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe fondet publike”, thuhet raport.

.

Më 30 prill, kur Periskopi publikoi shkrimin e parë për skandalin me rriqna, reagoi edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV konfirmoi se ka blerë preparatin, duke u arsyetuar se është në përputhje me standardet, por pa dhënë sqarime të mjaftueshme për mënyrën se si ka ardhur deri te blerja e një ilaçi të gabuar.

Periskopi ka provuar të marrë një qëndrim nga zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, por për këtë çështje nuk ka qenë i qasshëm.

Ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, opinionistët dhe gazetarët për shpenzimin e afro 1 milion eurove për një preparat që nuk shërbente për rriqna, por për morra.

Periskopi ka raportuar se gjatë procesit të auditimit të brendshëm të AUV-së është konstatuar se preparati Deltanil është i aplikueshëm te gjedhët për trajtim dhe parandalim nga morrat dhe mizat; te delet dhe qengjat për trajtim dhe parandalim nga morrat, mizat dhe rriçrat; ndërsa te dhitë nuk është i aplikueshëm./Periskopi/

 

 

 

 

 

 

 

Huqje skandaloze: Afër 1 milion € shkuan dëm, në vend të ilaçit kundër rriqnave AUV bleu ilaç kundër morrave

 

Shpërndaje në: