“Agoni është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet”- Në Lipjan u protestua për vdekjen tragjike të 27 vjeçarit
Në qytetin e Lipjanit u mbajt një protestë paqësore para stacionit policor, e organizuar nga familja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën javën e kaluar gjatë një ndërhyrjeje të policisë. Ky rast ka tronditur tërë Kosovën dhe ka nxitur reagime të forta, shkruan Periskopi.
Në protestë, vëllai i Agonit, Alban Zejnullahu, u shpreh se Agoni nuk është vetëm emër por simbol i padrejtësisë.
“Agoni nuk është vetëm një emër, por simbol i padrejtësisë që duhet të marrë përgjigje. Nuk do të ndalemi derisa të bëhet drejtësi.”
Familja dhe qytetarët kërkuan transparencë të plotë në hetimet dhe ndëshkimin e përgjegjësve, ndërsa protestuesit u mblodhën në mënyrë paqësore para stacionit të policisë për të shprehur dhimbjen dhe revoltën e tyre.
Agon Zejnullahu humbi jetën në duart e policisë në Lipjan javën e kaluar, hetimet paraprake dhe pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë qartë se vdekja e Agonit ishte pasojë e forcës së tepruar të ushtruar nga pesë policë gjatë ndërhyrjes, të cilët tashmë janë arrestuar dhe po hetohen si të dyshuar.
Rasti ka ndezur debat të gjerë në shoqëri mbi përdorimin e dhunës nga policia dhe nevojën për reforma thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe mënyrën e trajtimit të qytetarëve nga institucionet e sigurisë.
Vdekja tragjike e Agon Zejnullahut, nis protesta në qytetin e Lipjanit
Protesta në Lipjan: Agoni nuk është vetëm një emër, është simboli i padrejtësisë



