Po e heton PSRK, por Hysen Muzliukaj u emërua në krye të Institutit të Kosovës për Administratë Publike

Po e heton PSRK, por Hysen Muzliukaj u emërua në krye të Institutit të Kosovës për Administratë Publike

Hysen Muzliukaj, i cili sa ka qenë drejtor i Kadastrit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka qenë i dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, është emëruar nga Qeveria e Kosovës drejtor i përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike.

Muzliukaj është i dyshuar në lidhje me rastin që ishte bërë publik pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime”.

Komuna e Mitrovicës kishte vendosur që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

KALLXO.com e kontaktoi Muzliukajn pas emërimit, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të japë detaje në lidhje me emërimin e tij e as në lidhje me rastin të cilin ai dhe ish-nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, po hetohen nga Prokuroria Speciale.

“Ditëve në vazhdim merremi edhe me këtë temë. Ju i drejtoheni Gjykatës se ku është procesi. Unë prej ditës së parë ju kam thanë që nuk ka asgjë në atë proces, edhe mbetet ashtu”- tha Muzliukaj kur u pyet në lidhje me emërimin e tij dhe nëse është ende nën hetime.

“Ju vazhdoni me storien se keni vazhdu me këtë storie e vazhdoni prapë”- shtoi ai.

Burime brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë thënë  që Hysen Muzliukaj është nën hetime.

Arrestimi dhe ndalimi i tij ishte bërë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” “Biznesi me toka”, i transmetuar më 18.04.2022.Bashkë me të atëkohë ishte arrestuar edhe ish-nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, ndërkaq Komuna udhëhiqej nga Agim Bahtiri.

Pas arrestimit të tij, atëkohë edhe këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Hysen Muzliukaj ishte liruar nga detyra e tij në ministri më 14.07.2023, pasi ishte ndaluar nga Prokuroria për 48 orë.

Më 15.07.2023, Muzliukaj ishte liruar që të mbrohet në liri..

Në lidhje me këtë rast më 14.07.2023 gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre laptopa, një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin.

Sipas hulumtimit Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës kishte kaluar nga prona publika në pronë private.

“Kallxo Përnime” ka gjetur se ekzekutivi i Komunës së Mitrovicës nëpërmjet Drejtorisë së Kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendi Komunal votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Në vitin 2017 ish-kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i ishte drejtuar Kuvendit Komunal me kërkesë për tërheqjen e disa pronave nga procesi i privatizimit dhe kthimin e tyre në pronësi të Komunës me qëllimin e vetëm që këto prona të shërbenin për interesin publik të qytetit.

Kërkesa e kryetarit Bahtiri ishte aprovuar në Kuvendin Komunal në mbledhjen e rregullt të datës 23.02.2017, 6 prona ishin votuar në Kuvend që të tërhiqeshin nga privatizimi i AKP-së, në mesin e tyre ishte edhe objekti i ish-“Bankosit”.

Por, kërkesa e Kuvendit që i ishte drejtuar Qeverisë së Kosovës nuk ka përfunduar deri më tani.

Agjencia e Privatizimit në Kosovë kishte deklaruar se Komuna nuk ka pasur të drejtë ta tjetërsojë.

Katër vite më vonë, Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr po ashtu nga Bahtiri, kishte harruar kërkesën e bërë dhe një pjesë të pronës dhe objektit në katin që lidhet me sheshin e Mitrovicës e kishte ndërruar me një pjesë të pronës me një vend ku do të ndërtohet një rrugë në qytetin e Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri e nisi mandatin e tij të dytë në krye të Komunës së Mitrovicës së Jugut duke kërkuar ndërmjetësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që disa prona nga AKP-ja t’i kthehen Komunës, por në fund të mandatit ekzekutivi i udhëhequr nga Bahtiri nuk kishte menduar njëjtë: një nga këto prona e kishte shpronësuar dhe e kishte ndërruar me një person fizik.Hapja e rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë bëri që komuna e Mitrovicës nga pronarja Besarta Isufi të marrë pronë prej 102 metra katrorë dhe të japë një lokal prej 139 metrave katrorë që gjendej në shesh.

Agjencia Kosovare e Privatizimit po pretendonte se objekti në fjalë i përket asaj dhe Komuna nuk ka pasur të drejtë ta tjetërsojë tek palët e treta. Por, si ndodhi që ekzekutivi i Mitrovicës në vitin 2017 të kërkojë nga AKP-ja që pronat mos të privatizohen dhe t’i kthehen Komunës, e në vitin 2021 njërën nga këto prona t’ia kalojë një personi fizik? Prona në rrugën “Ali Zeneli” ishte vlerësuar me 490 euro metri katror, pra 102 metra ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej 49,980.00 euro.

Prona e Komunës ishte vlerësuar me 900 euro metri katror, pra 139 metra katrorë ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej 125,100.00 euro. Familja për ta marrë pronën e Komunës kishte paguar edhe ndryshimin prej 75 mijë e 120 euro.

Atëkohë, Hysen Muzliukaj në cilësinë e drejtorit pati deklaruar për “Kallxo Përnime” se kur e ka proceduar lëndën në Kuvendin e Mitrovicës ka pasur qëllim hapjen e rrugës “Ali Zeneli”.“Është vendim i Kuvendit dikund, propozimi në Kuvend ka kalu, shkon në ligjshmëri në MAPL, MAPL shkon prej MAPL masandej në Ministri të Financave për vlerësim prone dhe ata e kanë vlerësu qashtu realisht. Është kërkesa për rrugën “Ali Zeneli” gjithmonë prej Drejtorisë së Urbanizmit.

Jo bre, rruga “Ali Zeneli” është e dijshme se çdo këmbim shkon përmes Kuvendit Komunal se ajo nënshkruhet prej kryetarit, prej drejtorit. Pastaj shkon në Kuvend. Prej Kuvendit në ligjshmëri, prej ligjshmërisë në Financa, janë goxha do filtra”- kishte deklaruar Muzliukaj.Hysen Muzliukaj pati thënë se AKP nuk posedon dokumente por vetëm kanë pretendime por një gjë duhet të sqarohet si ndodhi që në vitin 2017 Komuna të kërkojë nga AKP-ja që pikërisht këtë objekt ta hiqte nga privatizimi.“Unë nuk kam pasur “user” në Agjencion Kadastral. Thuhet së është pronë e Komunës, a po e din objekti i Komunës?

E di që pretendon ‘Bankos’-i por nuk ka asnjë dokumentacion rreth asaj. AKP-ja, po të flas gjithmonë sipas zyrtarëve të Komunës që punojnë aty me vite, ka pretenduar që është pronë e tyre një kohë në menaxhim të tyre por realisht nuk kanë dokumentacion për atë punë”- kishte deklaruar Muzliukaj.

Vendimi ishte votuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës në mbledhjen e datës 29.04.2022. Në seancën e fundit ku Asambleja mund të vendoste për ndryshime pronash. Sipas Ligjit, në gjashtë muajt e fundit të mandatit asamblistët nuk kanë të drejtë të votojnë ndryshimet e pronave.

Të dhënat na tregojnë se në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje ishin 10 pika, nga këto 10 pika 5 ishin për diskutime dhe miratimi për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale apo këmbim prone të Komunës me persona fizikë. Kjo pronë nuk ishte në rendin e ditës dhe futet aty për aty nga drejtori i Kadastrës, Hysen Muzliukaj.Propozim-vendim për miratim të vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme me pronësi të personit fizik miratohet me 18 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim të asamblistëve prezentë./Periskopi/

 

I arrestuar në aksionin anti-korrupsion, ish-këshilltari i Pecit emërohet në pozitë të lartë

 

Shpërndaje në: